Pjesëmarrje e ulët e votuesve është vërejtur në orët e para të procesit zgjedhor në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Qytetarët të cilët kanë votuar në këtë shkollë, kanë dhënë mendime të ndryshme sa u përket këtyre zgjedhjeve.
Disa prej tyre kanë thënë se presin që të bëhet më mirë për vendin, derisa të tjerë thonë se partitë nuk kanë dhënë ndonjë shenjë që mund të pajtohen mes vete edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Qytetari, Arsim Canolli ka uruar që gjithçka sot të shkojë mbarë.
“Ishalla fiton ai që është më i miri, ia paftë hajrin, presim që diçka mirë me u bë në të gjitha gjërat, ishalla shkon mbarë, ishalla na prin e mbara e kryhet me sukses”, ka deklaruar Canolli.
Kurse, qytetari Naim Abdullahu, është shprehur se pret të bëhet më mirë, pas këtyre zgjedhjeve.
“Presim më mirë diçka për shtet, për sovranitet, për popullsi, kështu siç ka shkuar deri më tani”, ka thënë ai.
Por, mendim tjetër, ka pasur qytetari, Ragip Berisha.
“Kurgjo, prapë pas një muaj dite me ardhë unë këtu me votu, qe katër herë, e pesta herë, këtu prapë kam me ardhë, s’ka shans, s’kanë dhënë shenjë që munden me u pajtu ndërmjet vete”, ka shtuar ai.

