Janë bërë nëntë ditë prej se qytetarët e kryeqytetit po përballen me mungesën e autobusëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, krejt kjo pasi ata po protestojnë për të kërkuar borxhin nga komuna, dhe kësisoj t’i marrin edhe pagat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Kjo po bënë që qytetarët të bëjnë zgjidhje vetanake e të cilat po e rëndojnë edhe xhepin e qytetarëve.
Rrugën të cilën e bënin me autobus, ata po detyrohen ta bëjnë në këmbë, por jo të gjithë personat po mund të bëjnë këta hapa për shkak të moshës apo edhe sëmundjeve të ndryshme.
Qytetari Rrahim Plakiqi për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online ka thënë se ka hedhur kritika nga Qeverisë duke thënë se po shkojnë miliarda tu përmend veriun e armatimin por që askush nuk mendon se si jeton dikush me një pension prej 120 eurosh.
“Sa i përket çështjes të ‘Trafikut Urban’ është gjendja kaos, siç e dini edhe ju vet, mirëpo fillet nuk janë vetëm të ditës së sotme por kanë një gjenezë pak më të hershme. Për arsye se jemi në një qeverisje me të vërtetë jashtëzakonisht më të rëndë që gjashtë vite po bëhen, nuk kanë ec proceset, edhe përpara jo shumë mirë por edhe tani edhe më hiç, ngase e kemi një qeverisje në shtetin tonë në këtë kohë asnjë bord nuk e kemi me drejtorë, por e kemi me ushtrues detyre. Asnjë projekt madhor nuk e kemi të realizuar pra gjendja në këtë qeverisje është me të vërtetë shumë e rëndë. Krejt pasoja i bartim tek qytetarët, për arsye se projektet të cilat kanë qenë dashur të zhvillohen dhe të përfundohet nuk janë bërë asnjë. Lëmsh shteti është bërë në këto gjashtë vite, miliardat shkojnë qytetari nuk realizon asgjë, merren jo veri, jo armatimi. Qytetarit i duhet shërbime, jetë, çmimet katastrofë, gjendja shumë e rëndë, jetoj me një pension 120 euro, kah me ja mbajt, 183 euro më ka ardhur faturat e energjisë elektrike nuk e di nga ia mbaj, rritje e enorme e çmimeve. Prandaj gjendja është kaos të gjithë i kanë fajet ngapak por qeverisja aktuale i ka më shumë:, ka theksuar Plakiqi.
Qytetari Shyqeri Nici u shpreh se mungesa e transportit po e vështirëson lëvizjen e pensionistëve, duke kërkuar nga institucionet të zhbllokojnë mjetet dhe të mos pengojnë punëtorët.
“Jashtëzakonisht shumë keq për shkak se ecshim por tani nuk po mundemi, gjenerata jem është vështirë të ecim, mirëpo ku është pengesa nuk po di. A i kanë ndalur pagat apo jo nuk e di, po thonë po por këndej po thonë jo. Pse me i penguar njëri tjetrit. Prej që kam dalë në pension kam ecur, mirëpo eci deri në qytet me autobus kam dalë për çdo ditë, tani është më vështirë. Është mirë qeveria me i qitë paret dhe mos me i pengu njerëzit që punojnë, shyqyr që është i zoti, përndryshe nuk ka pasur pengesa. Sikur me i pasë paratë në bankë dhe mos me i kthy banka paratë e mia”, deklaroi Nici.
Ndërsa Zymer Maxhari e quajti ngërçin institucional rezultat të inateve politike mes kryetarit të Komunës dhe Ministrisë së Financave, duke paralajmëruar se kjo situatë i dëmton vetëm qytetarët.
“Gjendja është e renduar, këtu nuk është punë që nuk munden ose që nuk kanë mundësi, por është punë inati, janë lidhur partitë, përkatësisht kryetari me ministrin e financave, kjo nuk e qon askund. Por secili bjen në vendin e vet, për çdo qeveri prej mbas luftës e këndej ata kanë bërë qef ne kemi mbajtur pasoja, edhe Trump ka dhënë premtime por nuk po mundet me realizuar”, ka përfunduar ai.
Nga 24 nëntori Prishtina nuk ka transport publik kjo pasi që “Trafiku Urban” dhe operatorët privatë kanë ndaluar qarkullimin e tyre për shkak të mospagesave që nuk janë kryer nga Ministria e Financave.
Tash e nëntë ditë Komuna e Prishtinës fajëson Ministrinë e Financave, dhe anasjelltas. Mirëpo një zgjidhje nuk është bërë ende, as kur Asambleja e Kuvendit Komunal të Prishtinës më 27 nëntor arriti të miratojë bartjen e 28 milionë eurove nga viti 2024 në 2025.
Ndërkaq, gjatë protestës së ditës së sotme, 02 dhjetor, punëtorët paralajmëruan se nëse pagat e tyre nuk do të dalin atëhere do të shkohet me veprime radikale. Përfaqësuesi i “Trafikut Urban” Ilmi Gashi deklaroi se do të bllokohen edhe rrugët, e do të vendosen autobusët te hyrja e Komunës së Prishtinës dhe objekti i Qeverisë së Kosovës.


