Tre persona kanë larguar mbrëmë flamujt në sheshin “Zahiri Pajaziti” në Prishtinë. Për këtë rast Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona.
Ky veprim nuk u ka pëlqyer aspak qytetarëve, të cilët në disa prononcime për Ekonomia Online kanë thënë se flamujt janë të paprekshëm dhe duhet të largohen nga askush.
Qytetari Ibrahim Koci thotë se heqja e tyre është gjest i shëmtuar. Sipas tij flamujt janë të popullit dhe largimi i tyre është shkatërrim i shtetit.
“Lojërat me flamuj kanë ndodhur edhe më heret. Një dukuri e shëmtuar e cila nuk duhet të ndodh. Duhet të përcaktohet cili flamur përfaqëson kë dhe me qenë i paprekshëm, i gjithë popullit. Ky gjest është i shëmtuar, jo i mirë. Nëse flamujt kanë qenë të vendosur nga institucionet atëherë është dashur të jenë të paprekshëm dhe askush të mos guxoj t’i ndryshojë. Kjo është një lojë që qon te shkatërrimi i shtetit”, ka deklaruar Koci.
Vaid Aliu, tjetër qytetar, thotë se me flamurin shtetëror Kosova shumë shpejt do të identifikohet edhe në Kombet e Bashkuara, andaj sipas tij ai nuk duhet hiqet.
“Nuk duhet të hiqen sepse shteti i Kosovës identifikohet me këtë flamur, por flamuri kuqezi është flamur kombëtar dhe e çmojmë dhe respektojmë. Me këtë flamur Kosova së shpejti do të identifikohet edhe në Kombet e Bashkuara”, është shprehur Aliu për EO.
Qytetarja Leonora Ibraj është shprehur e shqetësuar më këtë veprim. Ajo thotë se autorët duhet të dënohen pasi për këtë flamur është zhvilluar luftë, në të cilën sipas saj kanë vdekur shumë njerëz dhe janë dhunuar gra e fëmijë.
“Nuk bën të hiqet dhe duhet të dënohen. Lufta ka qenë në Kosovë, kanë vdekur shumë njerëz, fëmijë, gra dhe fëmijë të dhunuar, ende nuk gjinden trupat e pajetë dhe tash me i heq flamujt e Kosovës, kjo është e paimagjinueshme. Ai duhet ta mësojë historinë se çka ka ndodhur prej 1998 e këndej, pastaj të mendojë mirë se a me heq apo jo. U shqetësova shumë sepse kam familjarë të vrarë. Kështu që duhet me i zënë dhe me i dënu”, ka thënë Ibraj.
Lajmin për heqjen e flamujve e ka konfirmuar për Ekonomia Online zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka sqaruar se njësitet policore kanë shoqëruar tre persona, E.A 1995,L.H 1987 dhe J.SH 1995 si të dyshuar për këtë incident.
“Sot në ora 00:05 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, njësitet policore të stacionit Qendra në Prishtinë kanë shoqëruar në stacion tre persona të dyshuar E.A 1995, L.H. 1987 dhe J.Sh 1995”. Ahmeti ka shtuar se personat e dyshuar me urdhër të prokurorit janë liruar në procedure të rregullt.
Përderisa ndaj tyre ndaj tyre është iniciuar procedurë për “prishje e rendit dhe qetësisë publike- vandalizëm”.