Rafuna paralajmëron rrezik për humbjen e fondeve nga BE: Mungesa e institucioneve bllokon reformat

Prishtinë | 02 Maj 2026 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar rrezik të madh për humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme dhe vonesave në realizimin e reformave, raporton Ekonomia Online.

Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ndonëse Kosova ka përfituar 63 milionë euro si parafinancim nga pakoja prej rreth 880 milionë eurosh, pjesa tjetër e fondeve mbetet e kushtëzuar me përmbushjen e reformave.

“Po ne kemi qenë të paralajmëruar që kemi vonesa. Kosova shteti i vetëm që më së voni e ka ratifikuar marrëveshjen për Planin e Rritjes, me Bashkimin Evropian. Ato janë të parapara rreth 880 milionë. Me rastin e ratifikimit të marrëveshjes Kosova e gëzon të drejtën tani edhe veç është bërë disbursimi i 63 milionëve si parafinancim. Mirëpo shuma tjetër e mjeteve nuk mund të merret pa u bërë reforma. Dhe mungesa e institucioneve, shkuarja në zgjedhje, duke mos e pasë Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dyshim që ne nuk mund të ecim në hap, nuk mund të bëjmë progres dhe nuk mund ta dëshmojmë që kemi bërë progres për me i marrë mjetet e tjera dhe me i sjellë në vendin tonë. Kështu që, po, shkuarja në zgjedhje, mospasja e institucioneve fuqiplota të Republikës së Kosovës, për shkak Kuvendin s’e kemi, Qeveria është në detyrë, kështu që ekziston rreziku shumë i madh që të humbim një pjesë goxha të madhe të mjeteve”, tha ai.

Ai shtoi se situata aktuale politike e bën pothuajse të pamundur miratimin e projekteve dhe programeve të nevojshme për përfitimin e fondeve të tjera.

“Po tani është shumë vonë. Tani të gjitha partitë politike nuk janë pjesë e Kuvendit që me pasë mundësinë me i aprovu si të them plan, programet ose projektet e ndryshme që vijnë nga Plani i Rritjes. Tani të gjithë janë të përqendruar në fushatë, po të shpresojmë që thirrja jonë për partitë politike natyrisht është që të përfundojë sa më shpejt fushata brenda afateve kushtetuese siç është e pamë dhe sa më shpejt që është e mundur të themelohen institucionet e Republikës së Kosovës në mënyrë që të vazhdojnë me reformat dhe të vazhdojnë t’i marrin mjetet nga Plani i Rritjes. Shpresoj shumë që për shkak të situatës që i kemi me zgjedhje Bashkimi Evropian nuk do ta ndalë ose nuk do ta ndërpresë financimin e mjeteve të Planit të Rritjes, por ne nuk duhet ta neglizhojmë. Ne duhet të punojmë shumë dhe duhet të jemi në kontakt me zyrtarët e Bashkimit Evropian për të parë se aq sa ka mundësi, brenda kapaciteteve që i kanë sot institucionet tona, të bëjnë reforma dhe të shohin t’i thithin mjetet që mund të thithen nga Plani i Rritjes”, tha ai.

Rafuna foli edhe për ndikimin e faktorëve globalë në ekonominë vendore, duke theksuar se Kosova ka importuar inflacion për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe derivateve.

“Po edhe pse ne nuk kemi qenë në të drejtpërdrejtë të të si të them të ndikuar për shkak se ne nuk kemi bërë tregti përmes ngushticës së Hormuzit, mirëpo në mënyrë indirekte kemi qenë të prekur për shkak se e kemi importuar inflacionin. Që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të naftës po edhe energjisë, dihet që ngushtica e Hormuzit, zyrtarisht 20% e tregtisë botërore bëhet përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa jozyrtarisht ajo shkon deri në 30%. Kështu që, meqenëse ne jemi një vend që importojmë shumë, ku e ka rritur shifrën gati 7 miliardë, atëherë bashkë me importin e kemi importuar edhe rritjen e çmimeve edhe inflacionin. Dhe jemi dëshmitarë që është rritur çmimi i derivateve të naftës në vendin tonë”, tha ai.

Ai theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos për bizneset dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

“Ndërkohë çmimi i derivateve të naftës, sikurse çmimi i energjisë elektrike është kosto operative për çdo biznes. Dhe kjo me automatizëm e ka shkaktuar inflacionin. Me kohë kemi bërë thirrje, kemi bërë kërkesë Qeverisë që të merr masa, që ta ulë tatimin e akcizës ose tatimin e vlerës së shtuar, mirëpo nuk gjetëm hapësirë dhe nuk e aprovoi kërkesën tonë. Dhe tani jemi duke i parë pasojat në çdo sektor, sidomos te sektori i bujqësisë ku bujqve ju kushton shumë shtrenjtë, kur tani koha është që punohet toka, nuk mundesh me punu të mbjellat bujqësore që janë të parapara për shkak të ligjeve të natyrës me u punu, me u prodhuar në muajin prill dhe ti t’i prodhosh në muajin gusht ose shtator kur të bjerë çmimi i naftës. Kështu që jemi të shqetësuar, jemi të shqetësuar edhe për sektorin e transportit të madhrave për shkak se e ka rritur shumë çmimin e prodhimeve tona, po jemi të shqetësuar edhe për sektorë të tjerë që nuk është marrë ose qeveria që s’ka bërë asgjë për t’i ndihmuar këta sektorë”, tha ai.

Të ngjashme