Disa raketa e goditën kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, në orët e hershme të mëngjesit të së martës, duke rënë afër pallatit presidencial në kohën e faljes së namazit të Kurban Bajramit. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i këtij shteti, Ashraf Ghani.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se tri raketa ranë afër pallatit presidencial dhe se nuk ka raportime të menjëhershme për të lënduar. Ende nuk është e qartë se kush qëndron prapa këtij sulmi, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Pavarësisht dëgjimit të shpërthimeve afër vendit ku ishte organizuar falja kolektive e namazit të Kurban Bajramit, pjesëmarrësit, në mesin e të cilëve ishte edhe presidenti Ashraf Ghani dhe zyrtarë tjerë të lartë, nuk e ndërprenë namazin.
Ndryshe nga vitet e kaluara, talibanët nuk shpallën armëpushim gjatë Bajramit. Pasiguria është shtuar javët e fundit në Afganistan, pas tërheqjes së trupave të huaja dhe avancimit të talibanëve në territor.
Të hënën, 15 misione diplomatike dhe përfaqësuesi i NATO-s në Kabul u bënë thirrje talibanëve që t’i ndalin sulmet, vetëm disa orë pasi ky grup dhe qeveria afgane dështuan që të arrijnë marrëveshje armëpushimi gjatë bisedimeve në Doha të Katarit.