Rama informon gjeneralin e NATO-s për transformimin e FSK-së

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 17:12 | Nga

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të NATO-s, të kryesuar nga Michel Soula, udhëheqës i Sektorit për Operacione në Komitetin Ndërkombëtar të NATO-s, i  cili  shoqërohej nga gjeneral brigade Dietmar Mosmann drejtor i NALT-it (Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s), oficerë dhe zyrtarë të lartë të NALT-it.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, duke e falënderuar  delegacionin e NATO-s për vizitën, i ka njoftuar ata gjerësisht me zhvillimet e përgjithshme në FSK.

Me këtë rast ai u fokusua te procesi dhe procedurat e deri tashme të përgatitjeve për transformimin e FSK-së në FAK, duke vlerësuar se ministria dhe FSK kanë kryer bazën ligjore dhe fazat e planifikimit të detajuar për përfundimin me sukses të këtij procesi.

Po ashtu komandanti i FSK-së e njoftoi  mysafirin e lartë nga Brukseli me mbajtjen e suksesshme të konferencës “FSK dhe Partnerët”, ku janë trajtuar arritjet e deritashme në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar  dhe fushat ku duhet thelluar ky bashkëpunim me partnerët, në bazë të nevojave  që ka FSK. Në takim ai foli edhe për publikimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Pakicë, e cila është bërë në prani të  partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe medieve.

Në vazhdim të fjalës së tij ai tha se kjo strategji nuk ka ngelë vetëm projekt, por janë bërë edhe aktivitete konkrete për realizimin e saj për çka ne si FSK dhe  ministri jemi të kënaqur me rezultatet e arritura.

Ndërsa në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj,  ndër të tjera e njoftoi mysafirin për projektin për realizimin e planit të integritetit, që është duke u bërë në bashkëpunim me shtetin e Norvegjisë, duke theksuar se ky është i pari plan i integritetit që po bëhet në institucionet shtetërore të Kosovës, duke shpresuar që do jetë model edhe për ministrit tjera.

Nga ana e tij zoti Michel  Soula u shpreh i kënaqur me aktivitet e deritashme të ndërmarra nga ministria dhe FSK, si për përgatitjet që janë bërë për transformimin e FSK-së në FAK dhe për qasjen e hapur dhe bashkëpunuese që ka pasur  ndaj kësaj çështje. Ai po ashtu  vlerësoi lartë edhe angazhimet konkrete për inkuadrimin e komuniteteve pakicë në FSK,  duke u angazhuar se komunikimi dhe bashkëpunimi në mes NATO-s dhe FSK do të jetë i vazhdueshëm për të gjitha çështjet.

Po ashtu në takim ishte i pranishëm edhe zoti Faruk Geci drejtor i Drejtorisë Politike të MFSK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme