Rama informon kongresmenin amerikan për zhvillimin e FSK-së

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 15:50 | Nga

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në takim anëtarin e Kongresit të ShBA-së, republikanin nga Ajova, Steve King.

Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe kongresistit King u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës, bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Ajovës dhe në veçanti për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Ushtrisë amerikane në përgjithësi.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, e njoftoi kongresistin King për zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe për progresin e saj në aspektin e nderveprueshmerisë me të gjithë partnerët, sipas standardeve të NATO-s.

Gjithashtu, gjeneral Rama e njoftoi anëtarin e Kongresit Steve King edhe mbi planet strategjike për zhvillimin e Forcës së Kosovës, konkretisht mbi synimin e shtetit të Kosovës që FSK-ja të transformohet në Forcë të Armatosur, me mision dhe detyra të mbrojtjes së vendit.

Gjeneral Rama e siguroi kongresistin King se FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet, është plotësisht e gatshme për transformim, dhe pret vendimmarrjen politike të institucioneve më të larta të shtetit. Gjithashtu, gjeneral Rama ritheksoi qe i gjithë procesi i transformimi do të jetë transparent dhe në koordinim me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës.

Nga ana e tij, kongresisti amerikan Steve King shprehu gatishmërinë e ShBA-së për ta vazhduar bashkëpunimin e plotë dhe të përkushtuar për Kosovën, me theks të veçantë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së si institucion për të cilin populli i Kosovës ka investuar shumë.

Gjithashtu, kongresisti King shprehu përkushtimin për të lobuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ajovës dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme