Kryeministri shqiptar po jeton utopinë më të madhe të avangardës: Edi Rama është një artist me përgjegjësi qeveritare.
Daniel Volzke nga revista më e madhe gjermane për art, Monopol, vizitoi kreun e qeverisë dhe piktorin në rezidencën e tij zyrtare në Tiranë para se të hapte ekspozitën në Rostock, njofton Klan Kosova.
Duhet të jetë ajo, karrigia e kryeministrit të Shqipërisë: Kaq shumë kontradikta në një fasadë të vetme, a mund të ketë një vend më të mirë pune për një njeri si Edi Rama?
Në arkitekturën e epokës së pushtimit fashist të vendit të stolisur me relieve të epokës socialiste, pranë gjurmëve të pikturave të vjedhura të një të kaluare të afërt. Dhe, në hyrje ndodhet një pjesë e dalë gjigante me drita të vogla që fiken dhe ndizen… Prit, a nuk është kjo një punë e Philippe Parreno? Ndërsa kërpudha në madhësinë e njeriut në kopësht duket si një skulpturë e Carsten Holler.
Në vitin 2015, Edi Rama, dy vite pas zgjedhjes si kryeministër, i kërkoi miqve artistë (me sa duket vetëm meshkuj) që të punojnë për selinë e qeverisë. Kryeministria u bë një vend arti: kati i parë u kthye në një sallë ekspozitash për publikun dhe në zyrën e qeverisë në katin e dytë ndodhen punimet e artistit Edi Rama.
Pas kontrollit nga siguria, vendos pajisjet elektronike që kam me vete në një sirtar. Më pas shkoj në katin e dytë, ku shikoj një fotografi të zmadhuar të Thomas Demand: “Sign” e vitit 2015. Sikurse ndodh gjithnjë me këtë artist gjerman që përpiqet ta boshatisë imazhin nga kuptimi. Më pas e shikon të vendosur në një godinë qeveritare që shërben për përfaqësimin, kjo i jep një këndvështrim interesant.
Pas një dere të dyfishtë, poshtë një korridori, nëpërmjet një paradhome, një derë e dyfishtë e fundit, qendra e kontrollit të shtetit. Edi Rama i përkulur në një tavolinë të madhe dhe që pikturon me bojëra uji. Pas shpinës së tij, muri është i mbushur me riprodhime të vizatimeve të tij: forma të ndërthurura me ngjyra të zbehta. Disa prej këtyre formave ngjasojnë me organe të marra nga elfë të vegjël që nuk kishin arritur të iknin në kohë.
Një letër muri e ngjashme mund të shihej vitin e kaluar në një ekspozitë të madhe në Bienalen e Artit në Venecia, organizuar nga Christine Macel.
Ky dizenjim plot ngjyra i murit i jep zyrës së kryeministrit pamjen e një kopështi fëmijësh ose, pak a shumë, atmosferën e një loje neoliberale. Kjo përshtypje përforcohet edhe nga gjëra të tjera që shihen në dhomë, mbi tavolinë gjendet një atlete “Yeezy” (Rama vesh vetëm “All Stars” dhe modele të tjera retro atletesh të bardha në pritjet shtetërore), këtu një kuti me bojëra dhe lapustila, atje një fanellë futbolli, diku tjetër një rrjetë basketbolli, një televizor gjigant. Endrra e një djali, njofton Klan Kosova.