Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal në Durrës në një dëgjesë publike me qytetarët, për të përgatitur atë që ai e quan “Bashkëqeverisjen me Njerëzit në koalicionin e madh për Shqipërinë që duam”.
Rama foli për emrat e publikuar prej tij në rrjetet sociale. Ai tha se nuk bëhet fjalë për një “listë të zezë”.
“Lista me emrat e publikuar nuk është një listë e zezë, por është një raport i dalë nga komentet e qytetarëve”, deklaroi Rama.
Rama premtoi se do të reduktohen zyrat për të ulur burokracitë dhe shpenzimet, shkruan Top Channel.
“Ka zyra dhe agjenci të tepërta që janë kosto e që mbahen me rrogë parazite. Do të bëjmë një shkurtim drastik për të lehtësuar burokracitë në zyrat e shtetit”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se puna po vazhdon dhe zvogëlimi duket se do të nisë që nga kabineti i ri.
“Qeveria e re duhet të jetë më e vogël, më efikase dhe duhet të ketë kapacitetin që të garantojë bashkëqeverisjen me njerëzit. Nuk duhet të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk u kthejnë përgjigje letrave dhe ankesave që bëjnë njerëzit”, u shpreh Rama.