Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me Rob Oliphant, ku është diskutuar për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Rama bëri të ditur se gjatë takimit u trajtuan tema që lidhen me arsimin, shkëmbimet akademike, inovacionin dhe partneritetet institucionale, me synimin për krijimin e lidhjeve edhe më të forta ndërmjet dy vendeve.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e projekteve të përbashkëta në sektorë të ndryshëm.
Kryetari i Prishtinës theksoi se miqësia ndërmjet dy vendeve vazhdon të ndërtohet mbi vlera të përbashkëta, solidaritet dhe besim të ndërsjellë, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.