Rama thirrje urgjente qeverisë: Komuna e Prishtinës mbetet pa automjete, rrezikohen shërbimet dhe siguria publike

Prishtinë | 11 Dhj 2024 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka mbetur pa automjete funksionale, pas skadimit të kontratës me Autoritetin Qendror të Prokurimit (AQP), të gjitha veturat janë kthyer, duke e lënë komunën pa zgjidhje, raporton Ekonomia Online.

Rama i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, pasi sipas tij mosveprimi po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike.

“Kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP), që vepron nën Ministrinë e Financave ka skaduar me 6 dhjetor. Kjo kontratë përfshinte institucione qendrore dhe lokale, përfshirë Komunën e Prishtinës, e cila kishte marrë me qira 76 vetura.  Pas skadimit të kontratës, të gjitha veturat janë kthyer, duke lënë Komunën e Prishtinës pa automjete funksionale. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm operimin e drejtorive si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca”, ka shkruar Rama

Ai i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje, përgjegjësi kjo e AQP-së.

“Mosveprimi i tyre po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike!Kryeqyteti mbetet i angazhuar për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve, por mungesa e mjeteve për operim përbën rrezik për shërbimet dhe sigurinë publike”, ka thënë Rama.

Të ngjashme