Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve që t’i zbatojnë rekomandimet e IKSHP-së në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë në kontroll, në të kundërtën sipas tij, do të jemi si në shtetet e Evropës ku situata nuk është nën kontroll.
Ramadani tha se ekipi kryesor shëndetësore i shtetit nuk mund të komunikojë me secilin individ, pasi sipas tij, puna aktuale e tyre është tepër e madhe.
“Qëndroni në shtëpi, pushoni. Zbatoni rekomandimet, përndryshe rreziku është për të gjithë ne”, tha drejtori i IKSHP-së, transmeton RTV Dukagjini.
Ai tha se rastet e fundit, të së enjtes janë raste të kontaktit, me përjashtim të njërit i cili për shkak të punës dhe kontakteve të shumta nuk e dinë nga e ka marr virusin.
Sipas tij, edhe ky rast po verifikohet. Ramadani tha se edhe rasti në Lugagji të Pejës është rast i kontaktit dhe është në mbikëqyrje.
Duke lutur qytetarët që të respektojnë rekomandimet e IKSHP-së, tha se
“Nëse nuk respektohen rekomandimet po rrezikohet shëndeti i qytetarëve… Ju kisha lut respektoni, se ekipi është në skaj të qëndrimit…dhe pastaj nuk marrim asnjë përgjegjësi”.
Sipas tij, po të shikohet situata epidemiologjike në Evropë shihet se shtetet nuk e kanë situatën në kontroll.
“Ne ende e kemi andej ju lutem respektoni rekomandimet”.
Ramadani, duke iu referuar mënyrës sonë sociale, tha se “virusi ka ardhur që të shpëtoj njeriun nga njeriu”.
Po ashtu, u tha se për shkak të kufizimit të lëvizjes në orët kur është e lejuar lëvizja po tollovi të njerëzve.
“Në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes. Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve”.
Ndryshe, IKShPK ka njoftuar se numri i personave të prekur me COVID-19 deri më tani është 86.