Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se do të ekspozohen, siç i ka quajtur ai, “shkeljet zinxhirore” që po ndodhin në Kosovë gjatë kësaj gjendjeje, të cilën e cilësoi si jo-kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Ai u zotua se vazhdimisht do të punojë ndershëm dhe do t’i shërbejë Kosovës.
“Do të ekspozojmë shkeljet zinxhirore tashmë që po ndodhin në Kosovë, gjatë kësaj gjendje jo-kushtetuese. Mos harroni, sot 2 javë, pra më 6 gusht, ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës kemi dhënë një betejë. Dhe më lejoni shumë shkurtërisht disa prej pikave kryesore të betimit t’i them, dhe pastaj t’i analizojmë se cilat janë shkeljet e betimit të deputetit. Betohem se me nder e përkushtim, do të kryej detyrën time dhe do të përfaqësoj me dinjitet popullin. Do të punoj në interes të Kosovës, do të angazhohem në mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë”, tha ai.
Ramadani ka kritikuar bllokimin e punës së Kuvendit dhe largimin nga salla plenare, duke thënë se një veprim i tillë bie ndesh me betimin e deputetëve.
“Dhe shihni, ju lutem, bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla plenare e Kuvendit nuk kanë as nder e as përkushtim. Kështu sikurse po bëjnë, nuk po e kryejnë detyrën e tyre për të cilën janë betuar si deputetë. Populli voton deputetët për t’i përfaqësuar, dhe këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla e Kuvendit. E heq më heq përfaqësim me dinjitet. Ndërsa angazhimi për mbrojtjen e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë realisht është angazhim i kundërt, pra ka angazhim për shkeljet kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë së Kosovës. Kështu, lejoni t’i përsëris 4 shkeljet themelore të betimit të deputetit që po bën Lëvizja Vetëvendosje: 1) nder e përkushtimi, 2) kryerja e detyrës së deputetit, 3) përfaqësimi i popullit me dinjitet, dhe 4) angazhimi për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, që 2 javë nga data 6 gusht, për çdo ditë ka shkelje të betimit të deputetit nga ana e VV”, tha ai.

