Ramosaj: Sakrifica e Agron Gjocajt është themel i lirisë sonë

Prishtinë | 21 Shk 2026 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Sot, në Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Baballoq, u mbajt ceremonia e rivarrimit të Dëshmorit të Kombit, Agron (Sadri) Gjocaj, ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, së bashku me familjarë të dëshmorit, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë.

Në fjalën e tij, kryetari Ramosaj shprehu nderim të thellë për veprën dhe sakrificën e Agron Gjocajt, duke theksuar se ai ishte ndër luftëtarët e përkushtuar të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjithmonë në vijën e parë të frontit në Zonën e Dukagjinit.

I rritur në frymë të lartë atdhetare, Agroni, së bashku me familjen e tij, iu përgjigj thirrjes së atdheut në momentet më të vështira për vendin, duke dhënë kontribut të çmuar në luftën për liri deri në rënien e tij heroike më 18 gusht 1998, në trekufirin e Kosovës.

Kryetari Ramosaj theksoi se sakrifica e dëshmorëve mbetet themeli mbi të cilin qëndron liria dhe shteti ynë, ndërsa rivarrimi i tij në Kompleksin Memorial në Baballoq është vendosja në vendin e merituar të nderit, pranë bashkëluftëtarëve.

Të ngjashme