Raportet Kosovë – Serbi: përpjekje për të dalë nga kornizat

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 17:07 | Nga Valon Murati

Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke u zbatuar parimi i reciprocitetit dhe duke u bazuar në vullnetin e banorëve të atyre pjesëve, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë afatgjatë për marrëdhëniet në mes të dy popujve dhe shteteve.

Në anën tjetër, nëse ne vazhdojmë të sillemi me indolencë si ndaj veriut ashtu edhe ndaj shqiptarëve, në rrethana të tjera gjeo-strategjike vërtetë mund të ketë ri-definim të kufijve, por atëherë ai mund të na vendoset në Ibër në veri dhe të mos mbetet asnjë shqiptarë në Kosovën Lindore. Serbia është agresive sepse problemin me shqiptarët nuk po e konsideron të zgjidhur, ne po flemë sepse po e konsiderojmë të kundërtën. Gabimisht!
I. Lufta e përmasave të gjera në këto rrethana e pamundur

Ngritja e tensioneve të fundit me Serbinë, sidomos sa i përket çështjes së trenit të famshëm, sikur ktheu njëfarë frike për mundësi lufte.

Kjo situatë gjithsesi u ndihmua nga deklaratat luftënxitëse të krerëve të shtetit serb, por edhe nga një pasiguri që rrjedhë nga ajo që po shihet si mundësi e zhvendosjes së kornizave të marrëdhënieve ndërkombëtare, të vlerave që deri më tani kanë përcaktuar ato por edhe të mundësisë së ndryshimit gradual të raportit të forcave.

Sidoqoftë, konsideroj se gjasat për një luftë të përmasave të gjera me tendencë pushtimin e tërë Kosovës nga ana e Serbisë, në këtë kontekst, nuk janë realiste. Këto që po i them i mbështes në disa faktorë objektiv, të cilët në të gjitha rrethanat e vendosin Serbinë në pozitë të vështirë të realizojë një përpjekje për ripushtimin e Kosovës.

E para, në Kosovë janë të stacionuara trupat e NATO-s përmes misionit të KFOR-it, të cilat kanë obligim ruajtjen e paqes këtu dhe çfarëdo sulmi ndaj Kosovës do të thoshte luftë me NATO-n; e dyta, përkundër faktit që Serbia në planin ushtarak është shumë më e fortë se Kosova, as ajo e as ne nuk jemi në pozitën në të cilën kemi qenë në të kaluarën.

Serbia më nuk i ka trupat e vendosura në Kosovë me bazat ushtarake në të gjitha pjesët e saj. Rrjeti i saj informativ ndonëse ende aktiv, është i dëmtuar. Gjithashtu, situata e brendshme qoftë politike, qoftë ekonomike e qoftë mediale në Serbi nuk është e tillë çfarë ishte në kohën e pushtimit.

Në anën tjetër, ne vërtet kemi forca të brishta të sigurisë, por megjithatë kemi polici dhe kemi FSK-në që në rrethana lufte shumë shpejt mund të transformohen në trupa luftarake. Mos të harrojmë se luftën me Serbinë e kemi filluar duke e pasur atë në çdo pore të jetës institucionale në Kosovë, ndërsa ne duke qenë tërësisht jashtë çdo institucioni të mundshëm të sigurisë (psh. Bosnja e Hercegovina e ka pasur policinë dhe njësitë e mbrojtjes territoriale); e treta, sot kufiri me Shqipërinë nuk kontrollohet nga Serbia, gjë që mundëson furnizim dhe logjistikë shumë më të konsoliduar në rast lufte.

Gjithashtu, sot përfshirja e Shqipërisë në luftë në planin e së drejtës ndërkombëtare do të ishte shumë më e lehtë sepse do të ishte i ftuar nga një shtet i pavarur (përderisa përfshirja e saj e hapur në operacione luftarake në të kaluarën ka mund të trajtohet si cenim i integritetit të një shtetit të pavarur, në atë rast Serbisë).

Për më shumë të qenurit anëtar i NATO-s, Shqipërisë dhe shqiptarëve u jep edhe një përparësi tjetër; e katërta, sulmi ndaj Kosovës do të thoshte sulm ndaj shqiptarëve dhe destabilizim i të gjitha shteteve ku jetojnë shqiptarët, pra destabilizim i rajonit.

Destabilizimi i rajonit do të thoshte edhe përfshirje e fuqive të tjera rajonale, e mbi të gjitha Turqisë, por edhe Greqisë, Kroacisë e Bullgarisë. Mos të harrojmë, të gjitha këto shtete janë anëtare të NATO-s; e pesta, Kosova sot përkundër të gjitha telasheve për të fuqizuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare është e njohur nga më shumë se 100 shtete dhe kjo e vendos Serbinë në pozicion të rëndë në arenën ndërkombëtare (Serbia nuk është Rusi, edhe atëherë kur e ka përkrahjen e kësaj të fundit); e gjashta, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme, sot kemi një popull që e ka përjetuar shtetin dhe lirinë, kemi gjenerata të rritura pa Serbinë, e të cilët unë kam përshtypjen janë në gjendje të sakrifikojnë shumë më shumë se në luftën çlirimtare ’98-’99.

Të pesë faktorët e fundit, bëjnë që të fuqizohet argumenti i parë, se forca që ka ardhur këtu të sigurojë paqen, NATO-ja, nuk do të lejojë një destabilizim të përmasave të daljes të tilla. Kjo normalisht nuk do të thotë që Serbia do t’i ndalë provokimet, sidomos ato në veri të vendit, e as do t’i ndal planet për ndonjë aneksim të mundshëm të veriut në rrethana të favorshme ndërkombëtare për të. Kështu që fakti se lufta e përmasave të gjera duket e pamundshme në këtë moment, nuk do të thotë se ne duhet të flemë e të mos përgatitemi edhe për skenarët më të këqij. Megjithatë edhe shfrytëzimi i të gjitha energjive në drejtim të një konflikti të mundshëm mund të jetë me pasoja në gjetjen e rrugës së drejtë për të zgjidhur problemet me Serbinë.

II. Destabilizimi i Kosovës qëllim i përhershëm i Serbisë

Sidoqoftë Serbia do të vazhdojë luftën e saj për ta bërë Kosovën shtet jofunksional, për ta legjitimuara në çdo hap dhe për ta provokuar herë pas here dhe mbajtur në tension të vazhdueshëm. Në situatën aktuale do të vazhdojë lojën e saj të tensioneve të vazhdueshme në Kosovë. Planin serb për Kosovën do ta përvijoja në tri shtylla:

i. Në planin strategjik Serbia është duke bërë të gjitha përpjekjet që kufirin etnik serb ta shtyj deri në lumin Ibër, për të përfshirë në këtë vijë edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës nga ku janë dëbuar dhunshëm shumica e banorëve shqiptarë por edhe boshnjakë. Qëllimi i kësaj përpjekjeje është që Serbia të jetë e gatshme që në çfarëdo rrethanash të ndryshimit të raporteve të forcave në arenën ndërkombëtare apo të një gjeo-strategjie të re, të mund të krijojë rrethana për ndonjë rishikim kufiri që do të mund të përfshinte edhe këto pjesë të Kosovës.

Në planin taktik Serbia do të vazhdojë me politikën e provokimeve (varësisht nga situata do të kemi edhe intensitet të ndryshëm të tensionit), ashtu siç ishte kjo me trenin, me murin, me fletë-arrestet ndërkombëtare për luftëtarët e lirisë, siç është rasti me Haradinaj, me fushata të egra kundër Kosovës, siç ishte rasti me fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, etj.

iii. Për ta bërë Kosovën shtet jofunksional duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat dhe mundësit që i jep kushtetuta e Kosovës dhe tërë sistemi politiko-juridik i Kosovës. Dhe realisht kjo është pjesa më problematike për ne.

Pakoja e Ahtisaarit dhe vetë kushtetuta si derivat i saj, e që përbëjnë një kompromis të madh të shqiptarëve, nuk erdhën me atë që fillimisht u ofrua si shkëmbim për këtë kompromis – njohjen e Kosovës nga Serbia. Përkundrazi, Serbia mjeshtërisht po e njeh këtë pako dhe këtë kushtetutë vetëm aq sa asaj po i përshtatet për të na destabilizuar. Pamundësia për të ndryshuar kushtetutën e vendit pa 2/3 e deputetëve të pakicave (që nënkupton së paku 4 deputetë serbë), në një vend me popullsinë shumicë shqiptare rreth 95%, e që po vërehet edhe tani sa i përket pamundësisë së ndryshimit të kushtetutës për të shndërruar FSK-në në ushtri të Kosovës, i jep Serbisë përmes pakicës serbe çelësin e destabilizimit të Kosovës.

Kështu, Serbia do të vazhdojë me veprimet e veta t’i shfrytëzojë serbët e Kosovës. Me të tilla veprime do të mbahet gjallë nacionalizmi si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët. Sigurisht, asnjëra palë nuk do të përfitojnë nga një situatë e tillë, e mbi të gjitha jo qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh kombësinë e tyre. Kjo situatë e tensioneve të vazhdueshme do të na shpenzojë aq shumë energji sa që në vazhdimësi do të kemi problem si shoqëri dhe si shtet në fokusimin në temat zhvillimore si ekonomia, arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit etj.

Të gjithë do të mbetemi peng të moszgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe, përkatësisht të raporteve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha dështimet që mund t’i kenë të gjitha qeveritë në të ardhmen deri në zgjidhjen e këtij kontesti, do të pasohen me arsyetimet e telasheve politike dhe tensioneve të vazhdueshme që shkaktohen nga ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë.

III. Zgjidhja: një platformë për bisedime që do të bazohej në reciprocitet deri ne ri-definim të kufijve

Përderisa kjo situatë do të na mbaj peng të tensioneve të vazhdueshme, te funksionalitetit problematik institucional, të betejave të pandalshme pozitë-opozitë (me ndryshime aktorësh në varësi të forcave që janë në pushtet dhe opozitë) e rrjedhimisht të moszhvillimit me ritmet e duhura, a kanë forcat politike shqiptare e rrjedhimisht a ka Kosova një strategji si të përballet me këto veprime të Serbisë? Ajo që shihet deri më tani veprimet tona janë ad hoc, si ajo me trenin, apo me seanca të njëpasnjëshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Njëra pjesë me tërë pakënaqësitë, edhe të brendshme, vazhdon bisedimet me Serbinë pa ndonjë platformë të qartë se ku do të arrihet dhe pjesa tjetër e cila është për ndërprerjen e bisedimeve dhe vendosjen e kushteve për Serbinë, gjithashtu nuk e ka të qartë se çfarë duhet bërë nëse Serbia plotëson ndonjërin nga kushtet (si psh. heqja e fletë-arresteve) ndërsa problemet mbeten. Një kaos i tillë vërehet edhe në opinionin publik.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim dhe unë personalisht mendojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë sepse ne jemi ata që kemi më së shumti nevojë të zgjidhim problemet që i kemi me Serbinë. Gjithashtu konsiderojmë se sado problematik dhe kompleks që është konteksti ndërkombëtar, duhet shfrytëzuar fakti që edhe Serbia është e interesuar të integrohet në BE.

Por, gjithashtu mendojmë se dialogu duhet të jetë thjeshtë vetëm politik dhe në të nuk do të duhej të diskutohej për çështje teknike pa u zgjidhur problemet politike. Me Serbinë kemi probleme politike, jo teknike. Lëvizja për Bashkim që në vjeshtën e vitit 2010 ka prezantuar Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe përmes bisedimeve politike.

Si atëherë ashtu edhe sot, ne konsiderojmë se çështja e pavarësisë së Kosovës është kapitull i mbyllur në marrëdhëniet me Serbinë. Por problemet e mbetura politike në mes të dy shteteve konsistojnë nga statusi i tri komunave të Kosovës Lindore ku jetojnë shqiptarët (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) si dhe të tri komunave në veri të Kosovës ku jetojnë serbët (Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku).

Ne si atëherë ashtu edhe tani e konsiderojmë jetike për Kosovën dhe funksionalitetin e saj që në bisedimet me Serbinë të shtrohet çështja e Kosovës Lindore, përkatësisht të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të kërkohet zgjidhje reciproke me tri komunat veriore të Kosovës Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Është njerëzore, është kombëtare, është qytetare dhe është shtetërore që të kërkohet reciprociteti në mes të këtyre dy pjesëve të cilat si në aspektin e homogjeni-tetit kombëtar, po ashtu edhe të lidhjes territoriale me pjesët e kombeve të tyre janë në pozita gati se identike.

Në këtë drejtim kemi kërkuar që të bëhen hapa të vendosur për kthimin e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ajo të mos trajtohet në këtë projekt reciprociteti, sepse aty kemi të bëjmë me situatë klasike të spastrimit etnik. Sigurisht që për të shtruar me guxim një koncept të tillë në bisedime, duhet që ne forcat politike shqiptare njëherë të ulemi dhe të pajtohemi për të ndjekur këtë rrugë.

Mbi të gjitha, për t’u pranuar ky koncept, duhet të dilet nga kornizat e tanishme të të menduarit, të dilet nga kornizat e zgjidhjeve të tanishme politiko-juridike, duhet të dilet nga logjika pakos së Ahtisaarit.

Gjithnjë duke e pasur parasysh se këto nuk janë të shenjta dhe do të respektohen përderisa do të merremi vesh t’i ndryshojmë në mes vete, me ndërkombëtarët por edhe me serbët.

Në anën tjetër, jam i vetëdijshëm që ky koncept i LB-së shpesh herë është përzier me konceptin e shkëmbimit të territoreve.

Këtu më duhet të bëjë një sqarim të shpejtë, reciprociteti në të drejta, në një situatë relaksimi në mes të dy shteteve dhe popujve mund dhe duhet të çojë në një ridefinim të kufijve por gjithmonë duke u bazuar në vullnetin e njerëzve që jetojnë në ato pjesë, përderisa shkëmbimi nuk e merr parasysh vullnetin e qytetarëve dhe popujve, por marrë parasysh sidomos pozitën gjeografike dhe resurset natyrore dhe shkëmbimet zakonisht përcillen me zhvendosje të popullsive.

Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke u zbatuar parimi i reciprocitetit dhe duke u bazuar në vullnetin e banorëve të atyre pjesëve, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë afatgjatë për marrëdhëniet në mes të dy popujve dhe shteteve.

Në anën tjetër, nëse ne vazhdojmë të sillemi me indolencë si ndaj veriut ashtu edhe ndaj shqiptarëve, në rrethana të tjera gjeo-strategjike vërtetë mund të ketë ridefinim të kufijve, por atëherë ai mund të na vendoset në Ibër në veri dhe të mos mbetet asnjë shqiptarë në Kosovën Lindore. Serbia është agresive sepse problemin me shqiptarët nuk po e konsideron të zgjidhur, ne po flemë sepse po e konsiderojmë të kundërtën. Gabimisht!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme