Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë një reagim në lidhje me raportimet që janë bërë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet financare të partive politike për vitin 2024.
Nga AAK është thënë se ‘‘disa media kanë keqinterpretuar vlerën e shpenzimeve të Aleancës për vitin 2024’’.
Po ashtu, kjo parti ka ftuar mediat që të korrigjojnë artikujt e publikuar dhe të ‘‘pasqyrojnë me saktësi faktet’’.
Reagimi:
Pas publikimit të raporteve financiare nga KQZ për partitë politike, disa media kanë keqinterpretuar vlerën e shpenzimeve të Aleancës për vitin 2024. Për hir të korrektësisë dhe për të sqaruar opinionin publik, sqarojmë se gjatë vitit 2024, AAK ka blerë një objekt të ri në vlerë prej 570 mijë euro.
Kjo shumë është e paraqitur në raport si shpenzim, si dhe si detyrim për blerjen e objektit, i cili do të shlyhet brenda gjashtë viteve të ardhshme. Vlen të theksohet se forma në të cilën raportohet është formë zyrtare e KQZ-së.
Ftoj mediat që të korrigjojnë artikujt e publikuar dhe të pasqyrojnë me saktësi faktet.