Raportohet për të paktën 14 të vrarë nga sulmet amerikane në Iran

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 14 persona janë vrarë dhe 78 të tjerë janë plagosur në Iran gjatë dy ditëve të fundit, si pasojë e valës së fundit të sulmeve të kryera nga ushtria amerikane, njoftoi të enjten Ministria iraniane e Shëndetësisë.

Sulmet kanë goditur dhjetëra objektiva ushtarake në disa pjesë të vendit, ndërsa raportohen dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe viktima, shkruan CNN transmeton Klankosova.tv.

Sipas Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), forcat amerikane kanë goditur më shumë se 90 objektiva ushtarake në mbarë Iranin. Në mesin e tyre janë sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje të mbikëqyrjes bregdetare, depo raketash dhe dronësh, kapacitete detare, si dhe infrastrukturë logjistike ushtarake përgjatë vijës bregdetare të vendit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa qytete, kryesisht përgjatë bregdetit jugor, por edhe në provincën veriore Golestan, pranë Detit Kaspik.

Në qytetin-port të Chabaharit, në brigjet e Gjirit të Omanit, pranë kufirit me Pakistanin, u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe shpërthime të fuqishme. Sipas mediave iraniane, një spital u dëmtua nga mbeturinat e shpërthimeve, ndërsa u goditën edhe dy kalata dhe një kullë e kontrollit të trafikut detar.

Në Iranshahr, një zjarrfikës humbi jetën gjatë një sulmi ndaj aeroportit të qytetit. Raportohet se sulmi dëmtoi ndërtesën e operacioneve të fluturimeve dhe stacionin meteorologjik të aeroportit.

Shpërthime u raportuan edhe në qytetin-port të Bushehrit. Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, deklaroi se objektiva në këtë qytet dhe në disa ishuj të Gjirit Persik ishin në shënjestër të sulmeve amerikane.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, predha goditën edhe qytetin bregdetar Bandar Abbas. CNN raportoi se pamjet e verifikuara nga rrjeti tregojnë shpërthime të shumta dhe zjarre të mëdha pranë portit Haqani.

Sulme dhe shpërthime u raportuan gjithashtu në ishullin Abu Musa, pranë Ngushticës së Hormuzit, si dhe në qytetet bregdetare Sirik, Jask dhe Konarak.

Në veri të Iranit, një urë hekurudhore në qytetin Aqqala, në provincën Golestan, u godit në atë që transmetuesi shtetëror IRIB e cilësoi si sulm amerikan. Megjithatë, në deklaratën e saj zyrtare, CENTCOM tha vetëm se kishte goditur objektiva përgjatë vijës bregdetare të Iranit, pa përmendur ndonjë operacion në veri të vendit.

Ndërkohë, në provincën jugperëndimore Khuzestan, pranë qytetit Ahvaz, tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, sipas agjencisë Fars, e cila citoi autoritetet lokale.

Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se një ditë më parë tetë pjesëtarë të forcave ajrore dhe detare iraniane u vranë në sulmet ndaj Bandar Abbasit dhe Bushehrit.

Të ngjashme