Irani raportohet se ka vendosur një kërkesë të detyrueshme për sigurim për të gjitha anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në atë që vëzhguesit e industrisë detare e shohin si hap të parë drejt një regjimi më të gjerë tarifash dhe rregullash kontrolli mbi lundrimin përmes kësaj rruge ujore strategjike.
Sipas Lloyd’s List Intelligence – një kompani lidere për të dhënat e trafikut detar dhe gjurmimin e anijeve – anijet që hyjnë në ngushticë tani duhet të sigurojnë mbulimin përmes një skeme sigurimi të miratuar nga Irani, e administruar nga Autoriteti i sapokrijuar i Ngushticës së Gjirit Persik.
Lloyd’s List raportoi se sigurimi aktualisht po ofrohet pa pagesë gjatë periudhës 60-ditore të zbatimit, periudhë që lidhet me memorandumin e mirëkuptimit që Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur, por burime brenda industrisë presin që më pas të vendosen tarifa për kalimin e anijeve.
Në raport thuhet se kjo masë është pjesë e përpjekjes së Iranit për të krijuar një kornizë të re për menaxhimin e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, pas konfliktit të fundit që ka ndërprerë transportin detar dhe ka lënë pjesë të ngushticës nën kufizime dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë.
Avokatë të së drejtës detare dhe drejtues të kompanive të transportit detar i thanë Lloyd’s List Intelligence se kërkesa për sigurim ngre pikëpyetje mbi përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare detare dhe mund të funksionojë në mënyrë efektive si një tarifë transiti, nëse më vonë vendosen pagesa.
Pronarët e anijeve dhe siguruesit po i ndjekin nga afër zhvillimet, pasi çdo kosto shtesë ose barrë rregullatore në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja të mëdha për tregtinë globale dhe tregjet e energjisë.
“Tarifat ka të ngjarë që të pasojnë”, raportoi Lloyd’s List, duke përmendur pritjet e industrisë lidhur me regjimin e ri.
Që nga arritja e memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, që synon dhënien fund të luftës që nisi më 28 shkurt, dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit janë rritur dukshëm.
Irani e mbylli këtë rrugë detare menjëherë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt.
Marrëveshja fillestare mes palëve parasheh një periudhë 60-ditore që SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje paqeje. /REL