Sulmet gjithnjë e më të shpeshta raciste kanë filluar të shqetësojnë krerët e Premier Ligës angleze, ku viktima e fundit e sulmeve të tilla ishte sulmuesi i ri i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi nga “Old Trafford” u mposht në ndeshjen e djeshme nga Crystal Palace ndërsa lojtari 21-vjeçar i kombëtares angleze nuk arriti të shënojë nga penaltia në minutën e 70-të të ndeshjes.
Për shkak të huqjes së penaltisë, Rashford u gjet në shënjestër të sulmeve raciste në rrjetet sociale.
Pothuaj se një rast i ngjashëm u regjistrua edhe javën e kaluar kur për shkak të huqjes së penaltisë viktimë e sulmeve raciste ishte futbollisti francez Paul Pogba.
Javën e kaluar, poashtu, për mos realizim nga pika e bardhë në shënjestër të sulmeve raciste ishin dhe sulmuesi i Chelsea-t Tommy Abraham dhe lojtari i Reading, Yakou Meite.
“Edhe javën e kaluar diskutuam rreth këtij problemi. Duhet të ndalojmë, nuk kam fjalë. Janë zhvilluar shumë fushata anti-raciste, por sulmuesit tani fshihen pas identiteteve të rreme në rrjetet sociale. Të flasësh për racizmin në vitin 2019 është çmenduri”, ka thënë shefi i stafit teknik të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer.
Ish-lojtari i Manchester Unitedit dhe trajneri i kombëtares angleze për femra, Phil Neville u bëri thirrje lojtarëve të Premier Ligës që të bojkotojnë rrjetet sociale për shkak të sulmeve raciste dhe këtë lloj komunikimi me tifozët.