Kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, tha se Unioni Evropian nuk po merret me serbët e Kosovës. Ai tha se kurrë më parë nuk ka pasur më shumë urrejtje mes serbëve, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, çdo ndryshim i tillë do të jetë me pasoja katastrofale për serbët e Kosovës.
“ Kemi heshtje konstante të unionit evropian pasi nuk po merren me Serbët e Kosovës. Ne jemi lënë anash nga të gjitha institucionet dhe po manipulohet më neve kush të dëshiroj. Ligji për Dialogun ka anë të mira dhe të këqija. Nga ShBA kam dëgjuar qe gjatë 2019 ose në fund të vitit vjen njohja reciproke. Këtë askush nga ne nuk duhet ta anashkalojë sepse është një qëllim i dukshëm i amerikanëve. Gjëja e mirë që delegacioni qeveritar ka qëndrim që nuk do të ketë ndarje, ajo është bazamenti që ne e kemi potencuar vazhdimisht. Termi demarkacion i Vuçiqit është i gabuar, nuk ka demarkacion”, tha Rashiq.
“…Çfarëdo ndryshimi i tillë do të jetë katastrofal për serbët e Kosovës. Unë jam kundër prekjes së vijave të kufijve. Marrëveshja përfundimtare do të doja të mos e përfshijë ndryshimin e kufijve. Kjo vjen më shpesh nga presidenti i Serbisë, kurrë s’ka pas më shumë ndarje apo urrejtje mes serbëve. Ky është apeli im i një serbi/politikani lokal. Serbët po i fut në ndarje kjo gjë”.
Analisti politik, Fadil Lepaja, tha se Platforma e Kosovës është e ndërtuar për mos ndryshuar kufijtë.
“Me negociata të fshehta u bë edhe pazarllëku për territore. Por kjo rrënon gjithçka çfarë është ndërtuar për 20 vjet. Platforma e Kosovës është e ndërtuar për të mos ndryshuar kufijtë. Varet prej Serbisë tash sa e pranon raportin e ri me Kosovën pas miratimit të Platformës. Kjo varet edhe nga forca në Parlamentin Evropian”, tha Lepaja, raporton EO.
Ai tha se Beogradi nuk e pranon Pakon e Ahtisarit pasi nuk është miratuar në Këshill të Sigurimit.
“Për mua nuk është e qartë, si zhvillojnë ata mekanizëm por kur i kemi dy palë nuk e di nëse do të ketë efikasitet dhe një kornizë që do të krijojë kënaqësi reciproke”, tha ai.
Këto deklarata Rashiq dhe Lepaja i bënë në debatin publik me temën “Platforma e Kosovës për dialog – realiteti apo fundi i dialogut?’’.