Zëvendëskryeministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pas mbledhjes së Qeverisë, duke thënë se ka paraqitur problemet me të cilat përballen qytetarët, por më pas është akuzuar për “gënjeshtra”, siç u shpreh ai.
Në një deklaratë publike, Rashiq tha se posedon një vendim, ose kopje të një vendimi, që sipas tij lidhet me institucionin Shtëpia e Shëndetit në Gushtericë të Poshtme dhe është nënshkruar nga drejtori Sasha Mlladenoviq. Ai e lexoi gjithashtu arsyetimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së një punonjësi.
Sipas tij, në dokument thuhet se punonjësi është shkarkuar për shkak të deklarimeve publike politike, aktivitetit në rrjete sociale dhe dëmtimit të reputacionit të institucionit, përfshirë edhe pretendime për “nacionalizëm” dhe “gjuhë urrejtjeje”.
“Dhe për ta vërtetuar, po lexoj edhe një herë atë që kanë deklaruar në arsyetimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, dhe thotë kështu: “I punësuari (emri dhe mbiemri) në një periudhë më të gjatë kohore ka dalë në publik duke shprehur përcaktimin e tij politik në kundërshtim me interesat për të cilat përcaktohet popullata serbe në Kosovë, e cila jeton në sistemin institucional që nuk e njeh Republika e Serbisë. Ndërsa në rrjetet sociale ka promovuar nacionalizmin dhe ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes, e cila është e ndaluar me ligj, e me qëllim të arritjes së synimeve personale politike dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar drejtpërdrejt reputacionin e punëdhënësit.” E përkthyer në gjuhën e thjeshtë serbe: ka pëlqyer (like) postimet tona në Facebook. Në arsyetimin e mëtejshëm të këtij vendimi thuhet se punonjësi duhet ta kishte ditur se sjellja e tij edhe jashtë orarit të punës dëmton reputacionin e punëdhënësit dhe mund të sanksionohet në përputhje me ligjin”, tha Rashiq
Rashiq i komentoi këto arsyetime duke thënë se, në praktikë, ato përkthehen në gjëra të thjeshta si pëlqime në Facebook apo pjesëmarrje në takime joformale, duke e cilësuar vendimin si të paqëndrueshëm juridikisht dhe që, sipas tij, “do të rrëzohet lehtë”.
Ai shtoi se, pavarësisht natyrës së vendimit, është i gatshëm të ofrojë ndihmë për të gjithë personat që pretendojnë se janë dëmtuar nga këto ndërprerje të kontratave, duke përfshirë ndihmë juridike dhe mbështetje financiare apo ekzistenciale.
“Ne jemi në dispozicion për ndihmë në çdo kuptim,” u shpreh Rashiq, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë.