“Në Serbi kemi një diktaturë në veprim, e cila duhet të bjerë në një moment”.
Kjo është mënyra se si Nenad Rashiq e përshkruan pushtetin në Beograd dhe njëkohësisht justifikon mbështetjen që Partia e tij për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë u jep studentëve protestues në Serbi.
Përmes një videoje të publikuar më 4 qershor në rrjetet sociale, kjo parti, e cila garon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, shprehu solidaritet me studentët që, prej muajsh, kundërshtojnë regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Unë nuk dorëzohem dhe prandaj qëndroj”, ishte mesazhi që e shoqëronte videon.
Rashiq ishte dy mandate ministër në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, partia e tij fitoi edhe një ulëse nga dhjetë të rezervuarat për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e së dielës, ajo do të jetë rivalja e vetme e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Rashiq thotë se mbështetja për studentët në Serbi nuk është thjesht politike, por edhe morale dhe shoqërore.
Ai i konsideron ata si një “fuqi politike adekuate”, por, mbi të gjitha, si një forcë intelektuale që sfidon një sistem me “trajta autoritare”.
Në këtë kontekst, Rashiq e lidh drejtpërdrejt lëvizjen studentore në Serbi edhe me një pjesë të realitetit politik në Kosovë, duke e përshkruar Listën Serbe si de facto zgjatim politik të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit.
“Ne [dhe studentët në Serbi] kemi një kundërshtar të përbashkët”, thotë ai.
“I gjithë ky fenomen shoqëror, që studentët e kanë ndërtuar në kohën e fundit, është diçka që meriton të mbështetet nga çdo këndvështrim – qoftë si individë, qoftë si parti politike”, shton Rashiq.
Diskurs paradoksal apo kalkulim politik?
Megjithatë, kjo mbështetje e tij hap një dilemë të dukshme politike.
Lëvizja studentore në Serbi, e cila ka paralajmëruar hyrjen në politikë, publikoi muajin e kaluar një memorandum, ku Kosova përkufizohet si “pjesë përbërëse e Serbisë” – çka nxiti reagime në publikun që e mbështet.
Dokumenti i referohet drejtpërdrejt Kushtetutës së Serbisë të vitit 2006, e cila në preambulën e saj e përfshin këtë formulim, ndonëse Kosova është shtet i pavarur që nga viti 2008 dhe i njohur ndërkombëtarisht.
Këto pretendime kundërshtohen vazhdimisht edhe nga autoritetet e Kosovës, të cilat theksojnë se normalizimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj duhet të arrihet mbi bazën e njohjes reciproke.
E, pikërisht këtu shfaqet edhe dilema: a po e vendos Rashiq veten në një pozicion kontradiktor?
Ai e hedh poshtë këtë interpretim. Sipas tij, studentët nuk kanë hapësirë tjetër veçse t’i referohen kornizës ligjore të shtetit ku veprojnë, ndërsa fokusi i tyre real është një politikë “paqedashëse” dhe ndryshim demokratik.
“Qëndrimet formale [në memorandum], të cilat i kanë deklaruar, unë mendoj që, në këtë moment, nuk janë fare të rëndësishme dhe nuk duhet të shihen në mënyrën se kinse ata tash janë nacionalistë… Jo, ju duhet ta keni për bazë atë politikën paqedashëse që e përfaqësojnë studentët”, thotë Rashiq.
Ai nuk thotë se e mbështet memorandumin e lëvizjes së studentëve protestues në Serbi.
Sipas tij, ky dokument nuk ka karakter ligjërisht obligues, por përfaqëson më shumë një deklaratë strategjike politike.
“Kur të vijë momenti për procesin, do të flasim për të. Nëse studentët shndërrohen në një subjekt politik dhe fitojnë zgjedhjet e ardhshme në Serbi, atëherë do të hapen edhe temat e tjera, që mund të kenë rëndësi thelbësore”, thotë Rashiq.
Radio Evropa e Lirë tentoi të marrë një koment nga Qeveria në detyrë e Kosovës lidhur me deklaratat e Rashiqit dhe mbështetjen e tij për lëvizjen studentore në Serbi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Për politologun nga Beogradi, Ognjen Gogiq, diskursi zgjedhor i partisë së Rashiqit, përfshirë edhe mbështetjen për lëvizjen studentore në Serbi, është thjesht “marketing elektoral”.
Sipas tij, Rashiq synon një segment të caktuar të elektoratit serb në Kosovë: ata që i kundërshtojnë politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të Listës Serbe.
“Ka serbë në Kosovë që janë kundër Vuçiqit dhe numri i tyre nuk është i vogël. Kjo është porosia që ai dërgon. Të gjithë ata që mbështesin protestat e studentëve në Serbi, kanë vërejtje ndaj pushtetit dhe besojnë se Lista Serbe është e korruptuar dhe e fokusuar në përfitime personale. Të njëjtin mesazh e përcjellin edhe studentët që protestojnë kundër Vuçiqit”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk beson se Rashiq mbështet përmbajtjen e memorandumit të lëvizjes studentore, i cili e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë. Por, pavarësisht kësaj, paralajmëron se një pozicion i tillë nuk është pa kosto politike.
“Ai rrezikon që Kurti ta refuzojë bashkëpunimin me të, nëse shihet si mbështetës i një lëvizjeje që mban atë qëndrim. Ky është një rrezik real, por pa rrezik nuk ka as vota. Dhe, ato vota i duhen, sepse është në kufi – nëse do ta sigurojë apo jo një mandat në Kuvend”, thotë Gogiq.
Po sipas tij, kjo nuk është një praktikë e izoluar – strategji të ngjashme, të bazuara në kalkulime elektorale dhe fleksibilitet politik, janë përdorur edhe nga subjekte të tjera, përfshirë Listën Serbe, në zgjedhjet e kaluara.
“I gjithë ky diskurs lidhet me një lloj shkathtësie politike – krijimin e mesazheve të dykuptimta që mund të tërheqin mbështetje nga grupe të ndryshme votuesish”, përfundon Gogiq. /REL