Në Ditën e Tuberkulozit, Programi Kombëtar Kundër Tuberkulozit ka mbajtur tryezën me temën “Është koha, fund Tuberkulozit”, raporton Ekonomia Online.
Aty u bë thirrje për ngritje të vetëdijes së qytetarëve për këtë sëmundje e cila po shihet shumë e rëndësishme në parandalimin e Tuberkulozit.
Naser Ramadani nga Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës tha se Tuberkulozi ende vazhdon të mbetet si një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë.
“Çdo vit dita e tuberkulozi shënohet me 24 mars dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për qytetarët. Tuberkulozi edhe sot vazhdon të jetë një ndër sëmundjet infektive më vdekjeprurëse”, tha ai.
Sipas Ramadanit në këtë drejtim Kosova ka shkallë më të ulët të vdekshmërisë e cila vijon me përqindjet 2 deri në 3 përqind.
“Kosova është dukshëm më ulët në shkallën e vdekshmërisë në 2 deri për 3 përqind. Personat me sëmundjen e HIV e kanë rrezikshmërinë më të madhe për zhvillimin e sëmundjes së Tuberkulozit”, tha ai.
Sipas Ramadanit në dhjetë vjetët e fundit Kosova ka shënuar 3432 raste me sëmundje të Tuberkulozit, ndërsa në 3-4 vjetët e fundit janë shënuar 700 raste.
“Kemi pasë 3432 raste më dhjetë vitet e fundit, ndërsa vetëm e 3-4 vitet e fundit 700 raste”, tha ai.
Gazmend Zhuri nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se 230 mijë njerëz preken nga kjo sëmundje, ndërsa prej tyre 26 mijë vdesin.
“Tuberkulozi vazhdon të jetë një problem dhe sfidë e madhe në shëndetin publik. 230 mijë njerëz preken nga Tuberkulozi dhe rreth 26 mijë njerëz humbin jetën nga Tuberkulozi. Zyra e OBSh-së kontribuon edhe më tej në avancimin e programit kombëtar të Tuberkulozit në Kosovë”, tha Zhuri, raporton EO.
Në një prezantim nga Dr.Majlindja Gjocaj nga Programi Kombëtar për Tuberkuloz, u tha se Prishtina kryeson si një nga komunat ku ka raste më të shpeshta të prekjes nga sëmundja e Tuberkulozit, ndërsa Gjakova në këtë drejtim ka numrin më të vogël sa i përket regjioneve.
“Nga viti 2017 kanë qenë 10.4 milionë raste të regjistruara në botë dhe se Tuberkulozi si sëmundje është renditur në një nga 5 shkaqet e vdekjes së femrave deri në moshën 45 vjeçare. Rastet me Tuberkuloz në regjione: këtu kryeson Prishtina, ndërsa me numrin më të vogël të rasteve kryeson Gjakova. Sipas gjinisë me numrin e rasteve nga Tuberkulozit prijnë meshkujt”, tha ajo.