Rasti Prevalla, nesër shpallet aktgjykimi për inspektorët e akuzuar

Prishtinë | 07 Nën 2022 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi dhe katër inspektorët e Komunës së Prizrenit, kanë dalë para gjykatës sot, nën dyshimin për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Inspektorët e akuzuar janë mbrojtur në heshtje, derisa aktgjykimi do të shpallet nesër, njofton Klankosova.tv.

Pas ankesës të ushtruar nga prokuroria, Gjykata e Apelit herën e parë më 25 janar 2022 e kishte kthyer rastin në rigjykim për herë të tretë për shkak të shkeljeve esenciale procedurale.

Ndryshe, kjo çështje pasi është kthyer në rigjykim, të akuzuarit Bedri Halimi, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, me arsyetimin se gjykata ka përfunduar shqyrtimin e rigjykimit brenda një kohe shumë të shkurtër dhe rrjedhimisht ka humbur kuptimin e mbajtjes së seancës, Apeli për herë të dytë e kishte kthyer çështjen sërish në rishqyrtim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

Ndërsa, katër të tjerët, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, sipas aktakuzës si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, kanë qenë përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional, në periudhën kohore nga 22 qershor 2006, e deri më datë 3 maj 2013, kur MMPH-ja me vendimin M.Nr.1498/13, e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës.

Të ngjashme