Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari pohon se 70% të 180 mijë eurove të marra si subvencion i dha ryshfet

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Subvencionet 1”, të hënën dëshmitari bashkëpunues Bekim Shala, ka pohuar se nga 180 mijë euro të pranuara si subvencion, 70% të tyre i kishte dhënë si ryshfet, pra 126 mijë euro për të akuzuarit Alban Bushati dhe Salih Kelmendi.

Dëshmitari Shala, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Halimi, ka deklaruar se në vitin 2020 kishte aplikuar për subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për misër dhe grurë, në emër të tij dhe të gruas së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I njëjti ka sqaruar se zyrtarët me të cilët ai është takuar, nuk janë këtu fare.

“Janë Alban Bushati, i cili gjendet në burg dhe Salih Kelmendi që po thonë se gjendet në Amerikë. Unë me ata duhet me kon këtu”, tha dëshmitari Shala.

Ai tha se fillimisht kishte menduar se kishte dalë të pinte kafe me Berat Nikën, por që realisht ky person kishte qenë Sedati, mbiemri i të cilit tha se nuk i kujtohet.

Sipas dëshmitarit bashkëpunues Shala, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi pas një muaji e gjysmë që kishte aplikuar e kishin ftuar për ta pyetur për ndërrimin e kulturave.

“Ata më thanë Bekim a t’i ndërrojmë këto t’i bëjmë që kemi mbjellë bimë aromatike. Unë nuk e kam ditë çka janë bimët aromatike dhe në fillim nuk kam pranuar. Ata më thanë po i ndërrojmë se s’ki me pas kurrfarë problemi edhe mu s’ma ka marrë mendja që mund e bëjnë atë punë se edhe veç ish kryer edhe afati i atyre punëve”, tha Shala.

I njëjti ka sqaruar se me Albanain dhe Salihun vazhdimisht kishte pasur kontakt dhe se të njëjtit i kishin thënë se janë duke ia punuar edhe një letër kinse është i certifikuar për bimë aromatike, duke ia kërkuar nga 8 mijë euro për të dhe gruan e tij.

“Unë s’kam pas kurrfarë marrëveshje me ta, unë jam kanë i interesuar vetëm 30% që ka qenë për grurë dhe misër, ndërsa 70% të shumës së subvencionit ia kam dhënë Albanit dhe Salihut”, tha Shala.

Ai tha se nga subvencionet kishte pranuar 180 mijë euro, ndërsa 70% i kishin marrë Albani dhe Salihu.

“Prej 180 mive kom pas 70% e tyre, pra 126 mijë euro. Për çdo 1 mijë euro, 700 euro i kanë marrë dhe i kam dëshmitarë edhe ata edhe vetë se unë asnjë cent s’e kam marrë për vete”, tha Shala.

Tutje, ai ka sqaruar se ata kishin marrë 93 apo 94 mijë euro dhe kishin mbetur të merrnin edhe 33 mijë euro të tjera, të cilat tha se pas arrestimit të tyre i kishte dorëzuar në Krime Ekonomike.

Ai tha se Albanit dhe Salihut iu kishte dhënë tre herë shuma të mëdha, ndërsa hera e katërt kishte qenë një shumë e vogël për të kompletuar diferencën që mungonte.

Shala ka pohuar se ai ngarkohej për kryerjen e dy veprave penale, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë në Prokurori, ishte amnistuar për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

Në fund, avokatët Rudari, Musa dhe Tahir Rrecaj kanë pasur vërejtje lidhur me dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues duke e vlerësuar si të pasaktë.

Avokati Rudari ka kërkuar që të revokohet cilësimi i tij si dëshmitar bashkëpunues për të cilin tha se do parashtrojë edhe një kërkesë më shkrim edhe për dëshmitarin paraprak edhe për dëshmitarin që u dëgjua sot.

Paraprakisht, në këtë seancë ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit Agron Krasniqi, për të cilin mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, ka dhënë vërejtje lidhur me dëshminë e tij, duke thënë se të njëjtën nuk e kanë pranuar asnjëherë nga Prokuroria Speciale.

Ndërkaq, prokurori special Rafet Halimi ka deklaruar se Agron Krasniqi është shpallur dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është marrë në pyetje nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe që dëshmitar bashkëpunues ishte zgjedhur pas seancës.

Ndërsa, tha se në Prokurori më tej nuk ka mundur të japë deklaratë për shkak se nuk ka qenë në Kosovë, e që tani do të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues meqenëse është shpallur me aktvendimi si i tillë nga gjykata.

Por, mbrojtësi i të akuzuarit Sedat Shkodra, avokati Skender Musa ka deklaruar se marrja në pyetje e dëshmitarit, është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale, pasi që dëshmitari nuk është marrë në pyetje nga Policia dhe Prokuroria si dëshmitar, e që mbrojtja e tij e dhënë si i pandehur nuk mund të përdoret në procedurë tani.

Sipas tij, marrja në pyetje drejtpërdrejt nga gjyqtari i procedurës parapake pa dhënien e dëshmisë në Prokurori është në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPRK-së dhe atë me nenin 119, duke kërkuar që dëshmia e këtij dëshmitari e dhënë para gjyqtarit të procedurës parapake të veçohet si provë e papranueshme dhe i njëjti të mos dëgjohet as para trupit gjykues, pasi që marrja e tij në këtë formë e pyetjes paraqet shkelje esenciale të procedurës penale.

Lidhur me këtë, prokurori Halimi tha se i pandehuri Krasniqi është marrë në pyetje në Polici, pastaj në Prokurori në cilësinë e të pandehurit dhe gjatë mbrojtjes në procesverbal ka shprehur vullnetin për të qenë dëshmitar bashkëpunues.

Ai tha se pas vlerësimeve të deklarimit të të pandehurit dhe provave të tjera materiale, prokurori ka paraqitur kërkesë për shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues, duke i shfaqur të gjitha pretendimet faktike të paraqitura nga Krasniqi.

Sipas prokurorit Halimi, në seancën e mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake pas marrjes në pyetje nga prokurori dhe gjykata, Krasniqi është shpallur dëshmitar bashkëpunues.

“Prokuroria i ka respektuar të gjitha procedurat e paparapara në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale që ka qenë i aplikueshëm në kohën e dhënies së dëshmisë së Agron Krasniqit dhe vlerëson se nuk është shkelur asnjë dispozitë nga Kodi i Procedurës Penale dhe i propozoj trupit gjykues që i njëjti të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues”, tha prokurori Halimi.

Tutje, avokati Musa ka kundërshtuar me arsyetimin se dispozitat ligjore për dëshmitar bashkëpunues janë të qarta dhe se marrë parasysh nenin 541, i cili e shfuqizon Kodin e vjetër dhe obligon të gjitha palët dhe gjykatën se që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij Kodi të zbatohen dispozitat e tij.

“Ne konsiderojmë se tash e tutje duhet të zbatohen dispozitat e këtij Kodi edhe sa i përket këtij dëshmitarit e që në bazë të nenit 231 ky dëshmitar është dashtë të japë dëshmi pasi që ta lidh marrëveshjen me dëshmitar bashkëpunues me prokurorin fillimisht në Prokurori e pastaj bëhet kërkesa për shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues”, tha avokati Musa.

Pas kësaj, prokurori Halimi tha se meqenëse është krijuar kjo rrethanë, Krasniqi të mos dëgjohet sot dhe të shtyhet për një ditë tjetër, ndërsa trupi gjykues pas konsultimit me shkresat e lëndës, kanë njoftuar se për momentin nuk e posedojnë procesverbalin e dëshmitarit, duke aprovuar propozimin e prokurorit dhe njoftuan se sot nuk do të vendoset lidhur me propozimin e avokatit Musa.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka obliguar prokurorin që deri në seancën e radhës palëve në procedurë t’ua sigurojë deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje u caktuan të mbahen më 2, 3 dhe 4 tetor 2023.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vjet e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi. / Betimi për Drejtësi

Të ngjashme