Pas bisedave telefonike të politikanëve të lartë kosovarë me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee është rënë dakord që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të riprocedohet. Opozita kundërshton.
Dy udhëheqësit kryesorë politikë në Kosovë, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, tashmë paralajmëruan se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi shumë shpejt do të procedohet në kuvend për votim.
Madje kryetari i kuvendit, thotë se javën tjetër marrëveshja e demarkacionit do të jetë në kuvend. Këto paralajmërime u bënë pasi të dy udhëheqësit politik kosovar në fundjavë, zhvilluan biseda telefonike me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin siç thuhet, janë pajtuar që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje të ndodh shumë shpejtë.
Nevojë për marrëveshje të shpejtë
Në një njoftim për medie të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se gjatë bisedës telefonike me diplomatin amerikan, i ka thënë atij se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, pasi në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. “Në këtë drejtim, ata u pajtuan që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të kuvendit.
Një bisedë telefonike zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, në fundjavë e zhvilloi edhe me kryemnistrin e Kosovës, Isa Mustafa. “Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Isa Mustafa.
Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kushti i fundit i vënë nga Komisioni Evropian që Kosova duhet ta plotësojë të marrë liberalizimin e vizave. Paralajmërimet se javën tjetër demarkacioni me Malin e Zi do të procedohet për miratim në kuvend, i ka shqetësuar partitë politike opozitare, të cilat e kundërshtojnë këtë version të demarkacionit duke thënë se Kosova me këtë marrëveshje humbet territor, gjë që mohohet nga qeveria e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK Pal Lekaj, parti kjo që është më e zëshmja kundër demarkacionit, është shprehur për mediet lokale, se ai është i bindur se edhe nëse marrëveshja procedohet në kuvend, ajo nuk do të kalojë.
Opozita ende kundër
“Sa i përket deklarimeve për procedimin e demarkacionit mendoj që është e drejtë e tyre për ta proceduar demarkacionin në Kuvend, por ajo që vlen të theksohet në biseda me gjithë deputetët është që ata nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe janë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Mendoj që fillimi i javës tjetër vendin do ta çojë në zgjedhje”, thotë Pal Lekaj.
Të njëjtin qëndrim mban edhe deputeti nga lëvizja Vetëvendosje Driton Çaushi, i cili thotë së kjo parti do ta kundërshtojë me të gjitha format ratifikimin e këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi.
“Ne natyrisht se do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje kurdo që sillet ajo në Kuvend. Ajo nuk është më pak e dëmshme sesa vitin e kaluar dhe argumentet kundërshtuese tashmë janë të njohura”, thotë Driton Çaushi.
I ndodhur në këtë situatë nga paralajmërimet e opozitës që serish do ta kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit, vetë kryeministri Isa Mustafa, në fillim të javës udhëton për në Bruksel, ku para zyrtarëve evropian do ta prezantojë kërkesën e tij të re, në lidhje me liberalizimin e vizave.
Kosova me propozim të ri në Bruksel
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë se “Mustafa do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”. “Pra të kërkohen mundësitë që Brukseli ta suspendoj për një kohë kushtin e vendosur pa të drejtë, pra atë të demarkacionit, për vizat ndaj qytetarëve të Kosovës, me mundësinë e rikthimit të tij në rast se brenda periudhës së caktuar nuk përmbushet edhe ky kusht. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Mustafa udhëton për në Bruksel”, thotë Faton Abdullahu
Kryeministri Isa Mustafa, kërkesën e tij të re që demarkacioni me Malin e Zi të shtyhet për më vonë pas liberalizimit të vizave, thotë ta ketë diskutuar së fundmi edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, që ishte një javë më parë për vizitë në Kosovë. Sipas kryeministrit Mustafa, shefi i diplomacisë gjermane i ka premtuar se kërkesa e tij do të shqyrtohet nga mekanizmat evropian.
Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se edhe nëse pranohet kërkesa e kryeministrit nga BE-ja, një kërkesë e tillë është e vonuar dhe ajo mund të marrë kohë të gjatë derisa ta miratojë Brukseli zyrtar.
Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga partitë politike opozitare të cilat janë të bindura që Kosova humb territor me këtë marrëveshje. (DW)