Reagon ministri Tahiri: E papranueshme që një prokuror i shtetit të bie nën presionin e kërcënimit

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 14:44 | Nga

Pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e manipulimeve me listat e veteranëve si dhe të rastit të imamit Shefqet Krasniqi ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke thënë se në kohën kur të gjitha përpjekjet e tyre si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund.

Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë.

Lexoni të plotë postimin e Tahirit:

Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje nga detyra zyrtare, për aq sa thuhet në lajme, me pretekstin se është kërcënuar si pasojë e punës së tij hetuese.

Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund. Republika jonë është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritet mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë.

Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë.

Është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë. Krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

Republika e Kosovës ka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacënueshmërinë e punës së tyre nga kushdo. Nuk do të lejojmë për asnjë çast që shteti ynë të duket shtet i brishtë dhe nuk do të tolerojmë askënd dhe asgjë që të jetë mbi ligjin.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme