Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se prokurorët dhe safi mbështetës serb kanë filluar punën si çdo ditë tjetër dhe se seancat janë duke u mbajtur.
Ky reagim vjen pas raportimeve se stafi i prokurorëve nuk po qëndrojnë në punë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se lajmet që janë publikuar në media të ndryshme lidhur me largimin e prokurorëve dhe stafit mbështetës serb nga sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nuk qëndrojnë dhe janë plotësisht të pasakta.
Po ashtu, ju njoftojmë se, sot, të gjithë prokurorët dhe stafi mbështetës serb kanë filluar punën si çdo ditë tjetër, si dhe, prokurorët kanë shkuar nëpër gjykata për të mbajtur seancat gjyqësore. Andaj, kërkojmë nga gjitha mediat mirëkuptim për mos publikimin e lajmeve që nuk janë të vërteta, dhe të pa konfirmuara paraprakisht nga sistemi prokurorial. Sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, mbetet i përkushtuar në ofrimin e informatave drejtë publikut”, thuhet në njoftimin e tyre.
Punëtorët e gjykatës në veri të Mitrovicës kishin ndërprerë punën në mëngjes në shenjë solidarizimi me qytetarët të cilët po protestojnë në katër komunat e veriut të Kosovës.