Pas Juventusit, edhe Real Madridi ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit të krahut, Ferran Torres që është pjesë e skuadrës së Valencias.
Lajmi është bërë i ditur të hënën nga gazeta spanjolle “Marca”. Mësohet se Real Madridi po synon transferimin e Torresit gjatë afatit kalimtar të janarit dhe për kartonin e tij, është i gatshëm të paguajë dëmshpërblim deri në 40 milionë euro.
Torres 19-vjeçar, pëlqehet shumë nga trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane që e sheh si përforcim të duhur për repartin e sulmit, transmeton Koha Ditore. Torres në janar të vitit të shkuar ka debutuar me ekipin e parë të Valencias dhe ka kontratë deri në qershorin e vitit 2021.
Këtë edicion, Torres ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë në 20 ndeshje në të gjitha garat.