Real Madridi nuk i besoi emërimit të Alejandro Hernandez Hernandez si gjyqtar kryesor për El Clasico dhe pas barazimit pa gola të mërkurën në Camp Nou e dëshmoi përse.
Real Madridi u ankua për dy penallti ndaj Raphael Varane gjatë kësaj ndeshje, por asnjëra prej tyre nuk u dha, raporton Gazeta Express.
Në pjesën e parë, Varane u godit me take nga bashkatdhetari i vet Clement Lenglet e cili e kishte ngritur këmbën lart dhe pastaj më vonë u tërhoq për fanelle nga Ivan Rakitic duke u shtyrë për një korner.
Gjyqtari Hernandez Hernandez nuk dha penallti në asnjërin prej këtyre dy incidenteve, por as VAR-i nuk ndërhyu për t’i rishikuar rastet.
Zemërimi i të bardhëve ishte aq i madh saqë edhe njeriu më i rezervuar, Emiliano Butragueno, drejtori për marrëdhënie institucionale i Real Madridit, reagoi me tërbim ndaj vendimeve.
“Është e vështirë ta kuptosh sesi një teknologji në dispozicion të gjyqtarëve nuk u përdor”, tha Butragueno.
“Nëse ka teknologji, atëherë sinqerisht, e them si tifoz futbolli, VAR-i duhet të ndërhyjë. Nuk e di se çfarë kanë biseduar ata, por gjyqtari duhet ta kontrollojë rastin”, shtoi ai.
Real Madridi nuk mundi ta fshehë zemërimin. Madje edhe uebfaqja e klubit, e cila është zakonisht neutrale, shfaqi një shkrim për këto dy incidente.