Mbrojtësi i krahut të djathtë i Real Madridit, Alvaro Odriozola, duket se do ta kalojnë pjesën e mbetur të sezonit i huazuar, pasi që Athletic Bilbao dhe Sevilla i kanë bërë Real Madridit oferta për futbollistin.
Bayern Munichu ka qenë gjithashtu i përfolur për transferimin e 24-vjeçarit, i cili nuk është pjesë e planeve të Zinedine Zidane në Santiago Bernabeu, transmeton Gazeta Express.
Kampioni në fuqi i Bundesligës dështoi në tentimin për ta transferuar Joao Cancelon, ndërsa mbrojtësi tjetër anësor i Real Madridit që është aktualisht i huazuar në Dortmund – Achraf Hakimi – nuk është në dispozicion për ta.
Cancelo luajti 90 minuta në barazimin 2:2 të Manchester Cityt kundër Crystal Palace në fundjavë, duke lënë të kuptohet se trajneri Pep Guardiola e ka qëllim t’i japë mundësi Cancelos t’ia marrë Walkerit vendin në formacionin e parë.
Trajneri i Bayernit, Hansi Flick, ka qenë në kërkim të një mbrojtësi të krahut të djathtë, pasi që ai shpreson ta zhvendosë në mënyrë permanente Joshua Kimmichin në mesfushë. Megjithatë, klubi gjerman ende s’ka bërë ofertë për Odriozolan – gjë që e kanë bërë Sevilla dhe Athletic Bilbao.
Odriozola është i gatshëm të largohet nga Santiago Bernabeu pasi që e ka pasur të vështirë të gjejë vend në skuadrën e Zinedine Zidane. Ai pritej ta sfidonte Dani Carvajalin për pozitën e titullarit pas transferimit 40 milionë eurosh nga Real Sociedadi gjatë verës së vitit 2018, mirëpo këtë sezon ka luajtur në vetëm katër ndeshje.