Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka refuzuar mundësinë që skuadra e tij të luajë ndeshje të La Ligas në SHBA në të ardhmen.
Si pjesë e një marrëveshje 15-vjeçare mes La Ligas dhe kompanisë amerikane Relevent, të arritur në gusht, La Liga planifikon të luajë një ndeshje të stinorit të rregullt në Amerikë të Veriut çdo vit.
La Liga dhe Relevent shpresonin që ndeshja mes Gironas dhe Barcelonës të zhvillohej më 26 janar në Miami, por plani u përcoll me reagime qëkur së pari u bë publik, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
La Liga nuk ka marrë aprovimet e nevojshme nga Federata e Futbollit e Spanjës dhe ajo e SHBA-së për të luajtur ndeshjen në SHBA dhe refuzimi nga federatat nacionale do t’u japë fund shpresave të ligës që të organizojë ndeshje në Amerikë.
Plani ka marrë refuzim edhe nga presidenti i Realit, Perez, që madje as nuk dëshiron ta konsiderojë mundësinë që të luajë ndeshje të ligës jashtë vendit.
“Nuk e di se në interes të kujt është, por nuk është në interes të klubeve apo tifozëve. Ne refuzojmë kategorikisht”, ka thënë Perez duke folur të dielën në asamblenë e përgjithshme të klubit të tij.
Është raportuar se Federata e Futbollit e Spanjës ka refuzuar kërkesën e La Ligas që ndeshja mes Gironas e Barcelonës të luhet në Miami.
“Është dërguar një letër te La Liga në mëngjes në të cilën është refuzuar kërkesa për ndeshje, pasi nuk është në përputhje me rregullat ndërkombëtare”, ka thënë një burim i Federatës për agjencinë Reuters më herët këtë javë.
Sipas statutit të FIFA-s, çdo ndeshje e kampionatit vendor për t’u luajtur jashtë duhet të marrë aprovim nga federata vendase, nga UEFA, më pas nga federata nacionale e vendit ku duan të luajnë ndeshjen dhe po ashtu nga konfederata e futbollit e atij regjioni ku duan të luajnë ndeshjen.