Pas projektit për ndërtimin e objekteve përcjellëse të Liqenit Akumulues të Mitrovicës, së shpejti fillon projekti tjetër, ai i rregullimit të shtratit të lumit Ibër nga vigu deri te liqeni, për të cilin investohen 4 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Brenda pak kohësh Komuna e Mitrovicës dhe Qeveria e Kosovës do t’i realizojnë dy projekte në zonën e Liqenit Akumulues në lumin Ibër, në Suhadoll të Mitrovicës, vlera e të cilave kalon 8 milionë euro.
Pas projektit për ndërtimin e objekteve përcjellëse të Liqenit Akumulues të Mitrovicës, që është pjesë e projektit të liqenit që ka vlerën prej 4.5 milionë eurosh, tani do të nisë projekti i rregullimit të shtratit të Ibrit nga vigu deri te Liqeni Akumulues, për të cilin investohen 4 milionë euro.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i tha “Zërit” të martën, se së shpejti do të fillojë të realizohet projekti i rregullimit të shtratit të lumit Ibër, i cili edhe më shumë do t’ia shtojë hijeshinë qytetit të Mitrovicës, tani kur ajo ka “detin” e vet, duke e bërë kështu edhe më atraktiv për vizitorët nga i tërë vendi. Bahtiri, bashkë me përfaqësuesit e kompanisë “Infratek”, e kontraktuar nga Komuna e Mitrovicës për hartimin e projekteve të ndryshme, ka dalë në vendin ku parashihet të realizohet projekti për t’i dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tij në projektin ideor.