Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, tha se janë hartuar një mori dokumentesh për parandalimin dhe eliminimin e punëve të rënda te fëmijët. Sipas tij, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve Qeveria ka aprovuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.
Ai bëri të ditur në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione se sipas raportit që ka hartuar ministria për pjesën e parë të këtij viti janë identifikuar 52 fëmijë në të gjitha komunat që punojnë punë të rënda të cilat nuk lejon ligji, raporton Ekonomia Online.
“Në kuadër të strategjisë për të drejta ë fëmijëve janë ndërmarrë veprime në nivel lokal dhe qendror. Ministria ka hartuar raportin për pjesën e parë të vitit për fëmijët me punë të rënda, janë 52 fëmijë të identifikuar në të gjitha komunat, 38 fëmijë me punë në kërkim lëmoshe, 11 fëmijë punë në rrugë dhe 3 fëmijë në eksploatimin e pasurive natyrore”.
“Prej 52 fëmijëve janë 38 fëmijë punë në kërkim lëmoshe. Kjo nuk bie në përgjegjësinë e komunës, por s’kemi qëndruar duarkryq, kemi iniciuar një marrëveshje me komunat dhe jemi në fazën finale me qëllim që secili kryetar i komunës të krijojë komitete lokale me qëllim të mobilizimit”.
“11 fëmijë punojnë në rrugë, s’kanë kontrata me dikë, dalin për të mbledhur kanaqe, pastrojnë xhama. Këto janë identifikuar në raport, por është përgjegjësi e krerëve të komunave dhe MPB-së. 3 fëmijë në eksploatim të pasurive të ndryshme, mbledhja e kpurdhave, metaleve etj”.
Reçica tha se ministria ka ndërmarrë disa veprime për të parandaluar punët e rënda te fëmijët. Ai shtoi se kanë nënshkruar marrëveshje me komunat në mënyrë që të koordinohen veprimet për të parandaluar edhe eliminuar punët e rënda te fëmijët.
Ai foli edhe për hapat e ndërmarra sa i përket aksidenteve në vendin e punës, ku vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë vdekur 7 persona. Për këtë ai ka garantuar se do të angazhohen edhe 10 inspektorë të punës.
“Në vitin 2018 kanë ndodhur 7 aksidente në vendin e punës që kanë përfunduar me fatalitet. Ministria ka nisur fushatën për vetëdijesimin, kemi paralajmëruar subjektet se s’do të ketë kompromise. Kemi filluar me sektorin e ndërtimtarisë, por do të vazhdojmë me sektorë të tjerë. Po planifikojmë që deri në fund të vitit ti kemi edhe 10 inspektorë të rinj dhe besoj që jemi në rrugë të mirë”.
Duke folur për rastin e 17-vjetarit që vdiq para disa ditësh në vendin e punës në Prizren, tha se inspektorati ka marrë të gjitha veprimet, derisa kompanisë i është pezulluar puna.
“Rasti i Prizrenit është shqetësues. I kemi të gjitha të gjeturat por për hir të familjes nuk do të hyjë në detaje. Kjo kompani është inspektuar herën e fundit në vitin 2015, kompania në fjalë s’ka pasur shkelje. Rasti është në procedura edhe ne institucione tjera, në fund edhe inspektorati del me raport se si ka ardhur deri te aksidenti, raporti është në procedurë”.
“Është ndalur puna në atë kompani. Veprimtarinë që e ka ushtruar i ndjeri bën pjesë ne grupin e punëve të rënda, kompania ka pas një punëtorë nën moshën 18 vjeçare”.
Kryetarja e komisionit, Duda Balje, ka kërkuar të dijë numrin e inspektorëve që veprojnë në terren.
“Sa inspektorë kemi në terren, a janë të mjaftueshëm, sa duhet të dalin të terren. Ky djali në Prizren ka punuar pa kontratë dhe rrezikshëm”.
Ministri Reçica tha se numri prej 44 inspektoreve sa kanë aktualisht është i vogël, por bëri të ditur se këtë vit presin që t’i shtojnë edhe 10 të tillë. Ai theksoi se nevojiten 80 inspektorë. Sipas tij, është dyfishuar numri i inspektimeve dhe se po punojnë që të fuqizojnë rolin e inspektorëve.
“Jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi numrin e nevojshëm të inspektoreve, janë 44 inspektorë janë çdo ditë në terren, përpos inspektimit janë të detyruar të bëjnë edhe raporte. Ketë vit do t’i kemi 10 inspektorë të rinj edhe pse nuk janë të mjaftueshëm. 80 inspektorë do të jenë të mjaftueshëm për te mbuluar sipas Komisionit Evropian, besoj që vitin e ardhshëm do të mbulojmë këtë kuotë”.
Duke folur për kompanitë që nuk respektojnë ligjin tha se nuk është qëllim i ministrisë që të gjobitet një kompani, por të vetëdijesohet që nëse ka punëtorë pa kontrata ose shkelen të drejtat e njeriut pason gjoba dhe aktet tjera.
Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku-Topalli, ka pyetur ministrin për shtetësinë e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë.
“A janë qytetarë të Kosovës këta fëmijë që kërkojnë lëmoshë, kur i pyet ku jetoni nuk tregojnë, është çështje që mund të zbulohet dhe jo të jetë ky numër kaq i vogël për të parë realitetin në Kosovë”.
Duke u përgjigjur, Reçica tha se nga të dhënat që kanë, rezulton që mund të mos jenë të gjithë shtetas të Kosovës.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, tha se në sektorin privat në çdo aspekt shkelen te drejtat e punëtorëve dhe në aspekte të ndryshme edhe të drejtat e njeriut.
“Gjithherë po flitet kur po vijmë te një rast tragjik si ky në Prizren, çka po punohet qe kjo të mos ndodhë. Në sektorin privat në çdo aspekt shkelet e drejta e punëtorët dhe në aspekte të ndryshme edhe e drejta e njeriut”.
Reçica ka thënë se ka punëmarrës që i shkojnë në zyrë për t’u ankuar rreth punëdhënësit, por që nuk e tregojnë identitetin e punëdhënësit. Ai ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga punëmarrësit për të luftuar dukurinë e mosrespektimit të të drejtave.
Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili, ka kërkuar të dijë efektin e fushatave të ministrisë dhe kush i realizon ato.
“Fushata vetëdijsese, sa po vetëdijesohen kompanitë, po dua me ditë efektin e vetëdijesimit. Sa është shpenzuar në këtë fushatë, kush e ka realizuar fushatën dhe sa ka pas efekt fushata”.
Ministri Reçica tha se s’kanë lejuar të angazhojnë kompani për të realizuar fushatën. Sipas tij, ministria ka realizuar një spot me disa mesazhe të nxjerra nga ligji dhe janë punuar edhe disa broshura, duke shtuar se kjo fushatë nuk ka kushtuar as 1 mijë euro, derisa theksoi se në terren shihet që ka efekt.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka pyetur përfaqësuesin e Inspektoratin e Punës se a u lejohet t’i publikojnë numrin e të punësuarve për të parë nëse kanë apo jo kontrata.
“A ua ndalon ndonjë ligj me publiku që një kompani ka kaq të punësuar dhe të gjithë i kanë me kontrata”.
Valon Leci nga Inspektorati të Punës, tha se nuk e kanë këtë informacion dhe se nuk është një bazë e të dhënave, raporton EO.
“Subjektet dhe punëtorët që kanë kontratë dhe i paguajnë kontributet, i ka ATK-ja. Nuk e kemi këtë informacion, nuk ka një bazë të të dhënave, pritet që me Ligjin e ri të punës po provojmë të bëjmë një modul që secilin punëtor që e merr me lajmëru dhe me pas ne”.