Tash e sa ditë, Kosova po përballet me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike. Reduktimet e shpeshta gjatë këtyre ditëve kanë filluar ti shqetësojnë edhe qytetarët. Por dikush fajin për gjithë këtë krizë po ia hedh shtetit serb.
Hysni Gashi, kryetar i Federatës Sindikale të Pavarur “Elektro Kosova”, po thotë se Kosova ka vështirësi në import, e gjithë kjo si pasojë e bllokimit të linjës internacionale të Kosovës nga shteti serb.
“Kjo është evidente për shkak të prodhimit të vogël të energjisë që kemi në vend, importi është shumë i vështirë. Është vështirësuar importi nga të gjitha vendet e tjera, e dini që Serbia me vite të tëra nuk e zbaton vendimin e CEFTËS, dhe tash linja jonë internacionale është e bllokuar nga Serbia qe sa vjet”, tha Gashi për Ekonomia Online.
Sipas Gashit, Kosova dhe Serbia kanë bërë një investim të madh në këtë fushë, por që e gjithë kjo po rezulton me humbje për shkak të mos funksionimit të rrjetit internacional.
“Investime të hatashme ka bërë Kosova dhe Serbia, në atë rrjetë dhe ajo është bllokuar nga Serbia, prandaj për këtë shkak kemi vështirësi. Serbia po ndikon shumë në furnizimin e energjisë elektrike, sepse ne kemi humbje të hatashme për shkak të mos funksionimit të rrjetit internacional”, shton Gashi.
Gashi ka njoftuar se ka mbetur çështje ditësh që të zvogëlohen këto reduktime.
Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektro Kosova”, dikur pati paralajmëruar vetë kolaps energjetik, e gjithë kjo si pasojë e mos zbatimit të marrëveshjes së përgjithshme kolektive, dhe rritjes së pagave.
Por kjo nuk zgjati shumë, Gashi për Ekonomia Online bëri të ditur se tashmë veç se ka filluar të zbatohet marrëveshja e përgjithshme kolektive, pasi që ZRRE-ja ka paraparë në planin buxhetor një shumë të konsiderueshme të mjeteve për përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të punëtorëve
“Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektro Kosova”, organizoi protesta në të gjitha distriktet me qëllim që të zbatohet marrëveshja e përgjithshme kolektive dhe të kemi paga të dinjitetshme, për këto protesta u përgjigjen te gjithë punëtorët. Tash ka pas një lëvizje, kemi arrit falë përkrahjes maksimale nga të gjithat institucioneve, që të fillojmë zbatimin e përgjithshëm të marrëveshjes kolektive, ku do na paguhet 0.5% përvoja e punës”.
“…përveç kësaj ZRRE-ja ka paraparë në planin buxhetore një shumë të konsiderueshme të mjeteve për përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të punëtorëve dhe tani më në KEDS punëtorët nuk janë me ato paga me diferencë të hatashme që kanë qenë, të gjithë janë të barabartë”.
Gashi bëri të ditur se pas vendimit të Gjykatës e Apelit, 93 punëtorët të cilëve Kompania për Shpërndarje dhe Furnizim me Energji Elektrike- KEDS u shkëputi kontratat e punës do t’ i kthej prapë në vendin e tyre të punës.
“E gjithë kjo ka mbetur në dorën e menaxhmentit të KEDS-it që ta zbatojë vendimin e gjykatës dhe ti kthejë këta 93 punëtorë në vendin e tyre të punës”, tha Gashi.