Reforma zgjedhore rrit kualitetin e zgjedhjeve

Prishtinë | 17 Nën 2016 | 10:58 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Jagxhillar, e ka vlerësuar të nevojshëm përfundimin e reformës zgjedhore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se plotësimi i ligjit për zgjedhjet në këtë proces do të ndikonte që zgjedhjet e reja të jenë më kualitative dhe më demokratike. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet e reja të mbahen me ligjin ekzistues.

“Ne besojmë se kjo reformë zgjedhore është mirë të vazhdohet dhe iniciativa e presidentit për të shkuar përpara në këtë drejtim është për t’u përshëndetur. Zgjedhjet janë një çështje e rëndësishme për çdo shoqëri demokratike, por ato duhet të zhvillohen me procedura të qarta dhe me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve. Në këtë aspekt mendojmë se ka nevojë të plotësohen ligjet ekzistues për zgjedhje”, ka thënë Jagxhillari. Në këtë aspekt, ai ka bërë me dije se vendi duhet të mbetet me një zonë zgjedhore dhe të mos ulet pragu zgjedhor.

Kurse, për zgjedhjet lokale ai ka kërkuar të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së këshilltarëve komunalë. “Është me rëndësi se cili sistem të përdoret. Ne jemi që vendi të jetë një zonë zgjedhore, por jemi që në zgjedhjet parlamentare të shikohet mundësia që pjesëmarrja e qytetarëve të jetë në një nivel më të lartë. Natyrisht se i gjithë ky proces duhet të përcillet edhe me pastrimin e listave të votuesve”, ka thënë ai.

Jagxhillari ka kërkuar ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ose duhet të ndryshohet mënyra e votimit brenda parlamentit për këtë çështje, ose duhet që shefi i shtetit të zgjedhjet drejtpërdrejt nga populli. Sa iu përket zgjedhjeve të reja, ai është treguar i gatshëm për to. “Mendoj se Qeveria është duke e bërë punën e vet, por për këtë çështje duhet të vendosin partitë më të mëdha. Ndërsa ne jemi të gatshëm të vazhdojmë në këtë mënyrë por, po ashtu, jemi të gatshëm të shkojmë edhe në zgjedhje të reja nëse është nevoja”, ka thënë lideri i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Jagxhillar.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme