Tiranë, 6 maj – Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, duke folur në aktivitetin e çeljes së Javës së Europës prezantoi gjetjet e një sondazhi me 1141 qytetarë të intervistuar nga e gjithë Shqipëria.
“Mbështetja e popullsisë së Shqipërisë për reformën në drejtësi është e lartë. 79% e mbështesin reformën në drejtësi dhe 55% e qytetarëve mendojnë se reforma në drejtësi ka ecur mirë deri tani. Vetëm 13% mendojnë që reforma në drejtësi nuk po funksionon fare”, tha Soreca.
“Mendoj se këto shifra tregojnë besimin që qytetarët shqiptarë u kanë dhënë jo vetëm autoriteteve të tyre, por edhe komunitetit ndërkombëtar për të ndryshuar sistemin e drejtësisë. Reforma po ecën përpara dhe është gjigande. Reforma në drejtësi duhet parë edhe në këndvështrimin afat mesëm. Po të shohim progresin, mbi 100 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar në procesin e vettingut. Kemi pasur këshillat e rinj që janë krijuar tashmë. Po ashtu puna që është bërë për Prokurorin e Përgjithshëm. Po kalojmë në fazat e fundit. Janë 25 kandidatë për SPAK-un. Po kalojnë vettingun. Vitin e fundit shkolla e Magjistraturës s’mund të bënte provimin. Ndërkohë që kemi 53 kandidatë të rinj që janë konfirmuar. Kjo tregon që reforma në drejtësi po ecën përpara dhe mbi të gjitha është e pakthyeshme. Nuk ka kthim pas”, tha Soreca.
Soreca tha se sipas sondazhit 88% të qytetarëve thonë që kanë një mendim pozitiv për BE, ndërsa 76% thonë që kanë opinion shumë pozitiv. Vetëm 4% thonë që kanë një mendim negative.
“Gjithashtu sipas sondazhit del se 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. 75 % plotësisht e mbështesin anëtarësimin drejt BE. Kjo tregon që mendësia e shqiptarëve për BE nuk ka ndryshuar”, tha Soreca.
“Ky rezultat mund të lidhet me rezultate të tjera të cilat i kemi parë në një sondazh brenda BE, ku mbështetja e qytetarëve për BE ka qenë në rritje që nga 2014 është rritur nga 50% në 62%, pra rritje me 12% më shumë në 5 vitet e fundit. Kjo është një përgjigje për ato diskutime anti-BE që po bëhen kohët e fundit”, tha Soreca.
“Ndërsa sa i përket kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u bërë anëtarë, sondazhi tregon se qytetarët janë në harmoni me përparësitë kyçe të BE. Ulja e korrupsionit 44%, reforma në drejtësi 28%, lufta kundër krimit të organizuar 27% dhe zbatimi i ligjit 11%”, u shpreh Soreca.
“Po ashtu çështje si stabilitetit ekonomik, të ardhurat standardi i jetesës janë 27% dhe unë mendoj se kjo në vetvete është shumë e rëndësishme”, tha Soreca.
“7 nga 10 qytetarë thonë që BE e trajton Shqipërinë në mënyrë të drejtë. 87% e qytetarëve thonë se kushtet e përcaktuara nga BE janë të mira për qytetarët shqiptarë. Kjo konfirmon atë që kemi thënë që prej fillimit të këtij procesi që reformat që kanë të bëjnë me BE nuk duhen bërë sepse i kërkon BE, por sepse i konsiderojnë qytetarët shqiptarë këto reforma si të mira për vendin”, tha Soreca.
“60 % nuk janë dakord që BE e trajton Shqipërinë me keq se vendet në rajon, ndërsa 18% janë dakord. Këtu është detyra jonë për t’u shpjeguar atyre se çfarë po bëjmë në Shqipëri dhe që është e përafërt me atë që po bëjmë në vendet e tjera të rajonit”, tha Soreca.
“60 % e shqiptarëve besojnë se Shqipëria është gati për të filluar negociatat dhe nga këndvështrimi i BE edhe ne jemi dakord dhe mezi presim publikimin e raportit të Komisionit Europian”, tha Soreca.
Po ashtu shtoi Soreca, “88% besojnë që jeta e tyre do të përmirësohet në mënyrë thelbësore nëse Shqipëria do të bëhet anëtare e BE. Këto janë fushat ku qytetarët shqiptarë mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të sjellë përfitime konkrete për ta. Zhvillimi i turizmit 85%, investimet në Shqipëri 81%, zhvillimi i infrastrukturës 81%, cilësia e arsimit 81%. Këto janë të rëndësishme sepse tregojnë qartë se cila pjesë të legjislacionit të BE Shqipëria do të duhet që t’i vërë në zbatim”/ATSH.