Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në rastin e të akuzuarve për arratisjen nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lajmin për refuzimin e këtyre kërkesave, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i këtij rasti, Shasivar Hoti.
Gjykatësi Hoti, ka thënë arsyeja e refuzimit të këtyre kërkesave është se gjykata pas analizimit të të gjitha kundërshtimeve të mbrojtjes, ka vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshmë për t’i aprovuar ato.
Arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, sipas prokurorisë, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Më 2 shkurt të këtij viti, mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës në këtë rast.
Në këtë rast përveç Sami Lushtakut akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.
Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.
Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat në këtë rast, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.
Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.
Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.
Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.
Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.
Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria
Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.