Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj dy policëve se keqtrajtuan të riun në stacion policor

Prishtinë | 14 Tet 2021 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve për hudhjen e aktakuzës ndaj ish-policit Haris Kelmendi dhe policit Agon Hyseni, të akuzuar se në qershor të 2018-ës kishin keqtrajtuar të dëmtuarin derisa e kishin ndaluar në stacionin policor.

Ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Kurse, Kelmendi po akuzohet edhe për veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, marrë më 27 shtator të këtij viti, thuhet se gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kundërshtimeve të paraqitura nga ana e mbrojtësve, lidhur me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, ka vlerësuar se kërkesat e mbrojtësve të të pandehurve janë të pabazuara.

Sipas këtij vendimi, rezulton se nga provat që i janë bashkëngjitur aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit Kelmendi dhe Hyesni janë kryes të veprave penale që u vihen në barrë.

Tutje, në vendim thuhet se me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjen e së vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësorë do të administrojë të gjitha provat e propozuara.

Ndryshe, më 25 maj 2021 ishte mbajtur seanca fillestare ku të akuzuarit Kelmendi dhe Hyseni janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Haris Kelmendi po akuzohet së më 26 qershor 2018 në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Kelmendi ka keqtrajtuar të dëmtuarin I.R, në atë mënyrë që i ka shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike me formë veprimi në trupin-subjektin pasiv duke e goditur fuqishëm me shuplakë në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet.

Kurse, i akuzuari Agon Hyseni në vendin dhe datën e lartcekur po ashtu në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) gjatë procedimit të rastit, me dashje ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet zyrtare, duke keqtrajtuar të dëmtuarin I.R në atë mënyrë që duke e goditur me duar në trup (duke ia drejtuar armën zyrtare dhe duke ia futur në gojë) me fjalët se “a po të duket mirë kur po ua shtini armën personave gjatë grabitjes” si dhe gjatë kohës sa ka qenë në Stacion Policor ka lejuar të incizohet keqtrajtimi i të dëmtuarit me çka e ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit.

Me këto veprime ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 paragrafi, 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në diapozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se më 29 janar 2021, në Prishtinë, i akuzuari Kelmendi fillimisht e thërret përmes telefonit të dëmtuarin I.R duke kërkuar nga i njëjti që ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor, të cilën kërkesë i dëmtuari e ka refuzuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas kësaj i dëmtuari I.R ka pranuar edhe një thirrje tjetër ku i është kërkuar t’ia lehtësojë deklaratën kundër të akuzuarit, pastaj i akuzuari ka thirrur me telefon hetuesin e IPK-së Fitim Zeneli, duke u munduar që të parandalojë apo vonojë nga komunikimi i informatës hetuesit e tjerë të autorizuar, prokurorit apo gjyqtarit lidhur me kryerjen e veprës penale.

Për këtë, Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme