Po mbyllet mandati i kësaj qeverie me shumë pak punë, investime e projekte që do të duhej të ndikonin pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Shumica e Ministrive nuk kanë shpenzuar mbi 30% të buxhetit vjetor për investime kapitale e infrastrukturë në vitin 2021, 2022 dhe 2023.
Në tri vitet e para, nuk ka filluar e as nuk ka përfunduar ndërtimi i asnjë rruge të rëndësishme në vend. Projektet e filluara, para vitit 2021, janë ndërprerë, duke shkelur kontratat me operatorët ekonomikë, me çka rreth 60% e të punësuarve në këto ndërmarrje, kanë mbetur pa punë.
Janë bllokuar punimet në ndërtimin e kategorisë se rrugëve të reja dhe të autostradave. Sipas publikimeve të ASK, në vitet 2021 dhe 2022 nuk është ndërtuar asnjë kilometër e rrugëve magjistrale dhe vetëm 9 kilometra rrugë rajonale.
Sipas të dhënave të Buxhetit për vitin 2024, në periudhën 2021-2023, për ndërtimin e rrugëve të reja nuk është investuar asnjë cent, kurse për autostrada, vetëm 13 milionë euro.
Të gjitha mjetet buxhetore të parapara për investime në këto kategori të rrugëve për vitin 2023, nuk janë shfrytëzuar por janë bartur në vitin buxhetor 2024, ndërkohë që mjete të reja për këtë vit, janë ndarë vetëm 10 milionë.
Sipas kornizës së shpenzimeve të parapara me ligjin e buxhetit, rezulton se të gjitha rrugët e rëndësishme, të filluara para vitit 2021, nuk do të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Me këto dinamika zhvillimore, Kosova edhe njëmijë vjet nuk do t’i mbërrijë vendet e zhvilluara!