Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, në pamundësi për të realizuar takimin e planifikuar në Bruksel, sot realizoi një bisedë telefonike me nënkryetarin e Parlamentit Evropian Rainner Wieland.
Reka e ka njoftuar Wieland me situatën e emergjencës shëndetësore dhe masat e ndërmarra nga Qeveria në detyrë, në luftimin e pandemisë COVID-19, dhe e falënderoi për ndihmën e gjertanishme për Kosovën që ka dhuruar Bashkimi Evropian, përfshirë këtu edhe ndihmën e fundit të miratuar nga Komisioni Evropian, atë të pakos së ndihmës makro-financiare prej 100 milionë euro për Kosovën.
Gjatë bisedës u diskutua po ashtu për mbështetjen e Wieland dhe të parlamentarëve europianë në rrugën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë për liberalizimin e vizave.
Në këtë bisedë, ministri në detyrë kërkoi nga nënkryetari i Parlamentit Europian, që ai dhe miqtë tjerë europarlamentarë të vazhdojnë të jenë zëri i Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm të BE-së, sidomos tash kur nevojitet bindja e fundit e shteteve hezituese për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në fund, Wieland nga ana e tij rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe të parlamentarëve evropianë për Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave, si dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë, duke premtuar përkrahjen e mëtejme të Kosovës në procesin integrues evropian.