Blerim Reka vlerëson se kryeministri i ri i Kosovës do të përballet me dy detyra të rënda: përballja me akuzat e para të Gjykatës Speciale dhe me Demarkacionin, por pa e injoruar këtu edhe formimin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka pranuar se vetë unifikimi i “Krahut të luftës” në një bllok koalicionues tregon sa ndikim ka pasur Gjykata Speciale.
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, i cili njëherësh është njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, thotë se pavarësisht koalicioneve të mëdha parazgjedhore nuk do të ketë fitues absolut të zgjedhjeve më 11 qershor, me ç’rast do të ketë edhe negociata të gjata për formimin e qeverisë së re në vend.
Kështu ka deklaruar Reka gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se çelësi për formimin e qeverisë do të jetë tek lëvizja “Vetëvendosje”.
Megjithatë, sipas tij, kryeministri i ri kosovar do të përballet me dy detyra të rënda: përballja me akuzat e para të Gjykatës Speciale dhe me Demarkacionin pa e injoruar këtu edhe formimin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Cilido prej tre kandidatëve për kryeministër duhet ta dijë se presioni ndërkombëtar do të jetë edhe më i madh dhe atë për t’i dorëzuar të akuzuarit e parë në Hagë, për ta ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi dhe për ta zyrtarizuar krijimin e ‘Zajednicës’”, ka theksuar Reka.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ai ka pranuar se vetë unifikimi i “Krahut të luftës” në një bllok koalicionues tregon sa ndikim ka pasur Gjykata Speciale në konfigurimet e brendshme politike në Kosovë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në zgjedhjet e mbajtura në Kosovën e pasluftës.