Në një komunikatë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” thuhet se rektori Majran Dema, është keqkuptuar dje kur ka thënë se nuk është takuar asnjëherë me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
“Nuk jam takuar asnjëherë me ministrin Bytyqi deri më tash”, kishte thënë Rektori Dema në një konferencë për media, kur po i përgjigjej akuzave të ministrit për gjendjen në UP, transmeton Ekonomia Online.
“Gjatë konferencës së djeshme në Rektorat të thirrur nga vetë Rektori Dema, ai ka pohuar që nuk është takuar asnjëherë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, duke nënkuptuar që nuk është zhvilluar takim për të biseduar lidhur me çështjet të cilat i ka adresuar gjatë konferencës. Por, nuk ka dashur të pohojë që nuk është takuar asnjëherë me ministrin, e as të dezinformojë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, aty thuhet se vetëm dy orë para se të mbahej konferenca në rektorat, Rektori në një emision televiziv kishte pohuar që është takuar me ministrin, “pikërisht para se lajmi i keqkuptuar të qarkullonte në media”.
Por, mbrëmë ministri Bytyqi kishte demantuar rektorin, duke thënë se është takuar disa herë me të.
“Rektori Dema ka takuar disa herë ministrin Bytyqi, por jo për të diskutuar tematikat që janë diskutuar gjatë konferencës së djeshme të zhvilluar në Rektorat”, përfundon komunikata e UP-së.