Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bashkë me drejtorin e Institutit për Zhvillim të Arsimit dhe çështjeve akademike në UBT, Bujar Gallopenin, po marrin pjesë në takimet e partnerëve të projektit evropian Erasmus + për studimet e përbashkëta Master në Shkencat Politike, në Austri.
Përveç përgatitjeve të këtij programi, gjatë kësaj kohe, programi i dizajnuar nga projekti do të kalojë përmes vlerësimit të akreditimit.
Rektori Hajrizi tregon se akreditimi do të realizohet nga Agjencia e Akreditimit dhe e Sigurimit të Cilësisë së Austrisë. Ai shtoi se kjo është hera e dytë në Evropë i një vlerësimi të përbashkët për studime të përbashkëta.
Pas akreditimit, pritet që një vendim i tillë të konfirmohet edhe nga agjencitë e vendeve përkatëse, në këtë rast edhe nga Kosova.
Sipas rektorit, studentet të cilët do të regjistrohen në këtë program, do të kenë mundësi të marrin diplomë të përbashkët nga disa Universitete Evropiane dhe Regjionale.