Rënien që duhet ta shfrytëzojmë

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 09:52 | Nga Afrim Kasolli

Lufta në Ukrainë, nxori më shumë se asgjë tjetër, dobësitë ushtarake, politike, sociale dhe ekonomike të Rusisë. Atë që Putini pretendonte ta përdortë si kurorë të fuqisë së tij dhe dëshmi për rëndësinë e pamohueshme gjeopolitike të Rusisë, po del të jetë simbol i dobësisë së këtij shteti.

Prandaj, edhe Putinit nuk i ka mbetur tjetër, po që kohë pas kohë, të operojë me skenarin apokalipsit total, nëpërmjet kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore.

Të gjitha parametrat strukturor po tregojnë se dita ditës Rusia është një shtet në rënie e sipër. Madje, me kalimin e kohës, nëse Evropa arrin të pavarësohet nga burimet energjetike ruse, atëherë ky vend do të mbetet pa njërën nga levat kryesore të shantazhit mbi pjesën tjetër të kontinentit.

Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë, gjithnjë e më shumë, po e potencojnë këtë fakt. Kështu, Andrea Kendall-Taylor and Michael Kofman në shkrimin “Russia’s Dangerous Decline -The Kremlin Won’t Go Down Without a Fight” të botuar para pak dite në Foreign Affairs, me anë të një analize të detajuar, kanë treguar edhe për rreziqet ndërkombëtare që i mbart kjo tatpjetë e pashmangshme.

Kurse, Marlene Laruelle, në po të njëjtën revistë, në një shkrim të mëhershëm “The End of the Post-Soviet Order-How Putin’s War Has Hurt Russia in Central Asia and the Caucasus” i pasqyron zhvendosjet sizmike gjeopolitike që po ndodhin në këtë rajon të ish-perandorisë sovjetike, ku Rusia ishte garantuesi kryesor i sigurisë së tyre.

Tash se në çfarë kahe do të zhvillohen proceset e ardhshme në këtë rajon është vështirë të parashikohet. A do të pushtohen ato nga një spirale më e madhe e kaosit, apo aktorë tjerë ndërkombëtarë do ta pushtojnë këtë hapësirë, mbetet të shihet.

Mirëpo, sipas autores në fjale, Kina dhe Turqia, kanë filluar që gjithnjë e më shumë të jenë prezentë me aktivitetet e tyre të shumëfishta në këtë pjesë të botës.

Në këtë kontekst, ky proces devalvues i Rusisë, pa dyshim se do të kishte impakt edhe mbi pozicionin politik dhe ndërkombëtar të Serbisë. Prandaj, është shumë me rëndësi që pala shqiptare, të mos bëjë gabime fatale politike duke ia mundësuar Serbisë që të ofrohet më shumë më perëndimin, e t’i ftohtë vetë raportet me aleatët e saj, pikërisht në kohën kur shteti kryesor tutorail i Serbise, ndodhet në një rënie të pashmangshme dhe ku Beogradi shumë shpejt do të ndodhet pa alternativën e tij duale gjeopolitike.

Askund më shumë se në politikë nuk manifestohen përplasjet ndërmjet qëllimeve fisnike dhe rezultateve fatale. Këtë tension e ka analizuar në mënyrë brilante njëri nga etërit themelues të doktrinës realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, Hans Morgenthau.

Në librin e tij, “Scientific Man versus Power Politics”, ky mendimtar tregon se si politika është arena me spikatur e shpërfaqjes së dimensionit tragjik të veprimeve njerëzore.

Në këtë rast, aktorët politikë shpeshherë mund të përfundojnë në të kundërtën e synimeve të proklamuara në fillim të aksioneve të tyre. Prandaj, është me rëndësi që ky rrezik të mos na shqitet nga mendja.

Të ngjashme