Ofensiva e diplomacisë serbe kundër Kosovës po vazhdon edhe më tutje.
Klan Kosova mëson se Republika e Palauit ka tërhequr njohjen që ia kishte bërë shtetit të Kosovës 9 vjet më parë.
Ky burim thekson se njohja është tërhequr pas një presioni të madh të diplomacisë serbe, i përkrahur nga Rusia.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot në një televizion të Beogradit se Serbia ka arritur sukses, duke bindur kështu një shtet të tërheqë njohjen që ia kishte bërë Kosovës, duke mos përmendur emrin e këtij shteti.
Por Klan Kosova mëson se bëhet fjalë për Republikën e Palauit, shtetit ishullor i cili pozicionohet në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor.
Klan Kosova ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës për ta konfirmuar këtë lajm.
Megjithatë zyrtarët për informim e kanë mohuar një zhvillim të tillë.
Qeveria e Kosovës vendosi sanksione ekonomike ndaj produkteve serbe pas ofensivës diplomatike për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga ana e Beogradit dhe pas lobimit të vazhdueshëm të autoriteteve serbe që çuan deri tek mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol.
Diplomacia serbe pretendon se janë 12 shtete tjera që kanë revokuar njohjen, tek sa Ministria e Jashtme e Kosovës e mohon një gjë të tillë.
Por ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli kishte deklaruar se si rezultat i lobimit kundër njohjes së Kosovës, shteti i Ishujve të Marshallit kishte pezulluar njohjen deri në një marrëveshje në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Republika e Palauit kishte njohur Kosovën më 6 qershor të vitit 2009.