Revokimi i licencës së “IuteCredit”, mohohet tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Estonia

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Palët mbrojtëse të “IuteCredit” kanë kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për revokimin e licencës të “IuteCredit” dhe kanë paralajmëruar padi ndaj këtij institucioni.

Avokati mbrojtës i “IuteCredit”, Rauno Kinkar, ka paralajmëruar edhe prishjen e raporteve diplomatike mes Estonisë dhe Kosovës, duke aluduar edhe në tërheqjen e njohjes nga Estonia. “Kjo tani është shndërruar në çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Estonia e ka njohur Kosovën ndër vendet e para. Ministri i Punëve të Jashtme e ka kontaktuar ministrin e Jashtëm këtu në Kosovë dhe tani nuk është koha për përleshje diplomatike. Ne jemi këtu që të gjejmë zgjidhje miqësore dhe procesi i likuidimit të ndërpritet dhe të shmangen dëmet e tjera të Iute Credit”, pati thënë Kinkar.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e kompanisë që operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë nuk sqaruan pse “IuteCredit” ka devijuar nga plani i biznesit duke lëshuar kredi me norma astronomike të interesit.

Image result for sokol havolli

Lidhur me këtë zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sokol Havolli ka thënë për gazetën “Epoka e re” se paralajmërimet për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Estonia janë në vazhdën e propagandave që po bëhen nga individë brenda Kosovës për të mbrojtur interesat e atyre, që sipas tij kanë devijuar nga plani dhe për këtë u është revokuar edhe licenca. “Ne kemi pasur komunikim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kjo ministri na ka konfirmuar se shteti i Estonisë është shtet mik i Kosovës dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i avancuar raportet edhe më tej me Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim propagandat e tilla janë duke u zhvilluar nga njerëz të brendshëm të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes të disa institucioneve të cilat i kanë shkelur rregullat për të cilat janë licencuar. Andaj edhe këtë lajm të llojit propagandë e shohim vetëm në vazhdën e presioneve dhe tentativave të dështuara për shantazhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra nuk bëhet fjalë për kurrfarë përkeqësimi të raporteve për aq sa ne kemi komunikim me institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe MPJ-në”, ka deklaruar  Havolli.

Image result for jetlir zyberaj

Po ashtu, edhe Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit këtë paralajmërim e ka quajtur spekulim.

Ai ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” se marrëdhëniet diplomatike me Estoninë janë të nivelit të shkëlqyer. “Ne kemi raporte të shkëlqyera ndërshtetërore me Estoninë. Çështja që ju po i referoheni ka të bëjë me revokimin të licencave nga BQK-ja, por unë ju them se mundësia e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës është spekulim. Institucionet e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre në përputhje të plotë me ligjin. Unë i kuptoj edhe propagandat që po zhvillohen ditëve të fundit dhe që kanë prapavijë financiare për të bërë zhurme gjë e cila patjetër duhet të hetohet, por respektimi i ligjit vjen në radhë të parë. Marrëdhëniet me Estoninë janë të shkëlqyera. Kontaktet e nivelit të lartë me këtë shtet mund të konfirmojë se zhvillohen në baza javore”, ka thënë Zyberaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme