Subjektet politike që garojnë për zgjedhjet e 6 tetorit përfshirë LDK-në dhe Vetëvendosjen, kanë deklaruar vazhdimisht se në asnjë rrethanë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve. Këtyre qëndrimeve nuk po ju beson anëtari i PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili ka thënë se të gjithë do të ngarendin pas PDK-së për të qenë në pushtet, madje edhe Vetëvendosja e Albin Kurtit.Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-komandanti tjetër i UÇK-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Ai tha për Gazetën Express se deklarata e Mustafës është vetëm elektorale dhe panik pasi PDK-ja pasi do të jetë në opozitë pas 6 tetorit, shkruan GazetaExpress.
Kandidati i PDK-së për deputet dhe ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa ka deklaruar mbrëmë në emisionin DPT te Fidani në T7, që të mos befasohet askush kur pas zgjedhjeve Vetëvendosja do të përpiqet që të hyjë me PDK-në në qeveri.
Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën Remi ka thënë se vijat e kuqe që i përmendin sidomos LDK-ja dhe Vetëvendosje do të thyhen dhe të dy partitë do të kërkojnë që të futen në koalicion me PDK-në për të qenë në pushtet.
“Jeta politike në vendin tonë ka provuar se subjektet politike tona thyhen e kthejnë mendjen dhe ecin pas pushtetit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli nuk do ta ketë aspak vështirë që të arrijë koalicion me secilën parti.
“Kadri Veseli nuk do ta ketë aspak të vështirë për të ardhur tek koalicioni. Vijat e kuqe nuk do ti kemi problem, kanë qenë edhe përpara por ato thyhen, kur të vijmë në situatë dhe ju do ta shihni se është ndryshe nga kjo që mendoni”, tha ai.
Mustafa po ashtu ka deklaruar se pas zgjedhjeve mos të befasohet askush kur partia e Albin Kurtit do të bëjë përpjekje për të bërë koalicion me PDK-në.
“Mos u befasoni nëse pas zgjedhjeve përpjekjet e Vetëvendosjes do të jenë që të bëjë një koalicion me PDK-në, kur të vjen koha ju do t’i shihni në radhë”, është shprehur Mustafa.
E ndaj këtyre deklaratave të Remit ka reaguar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Selimi ka thënë se Vetëvendosje as që do të diskutojë ndonjë lloj bashkëpunimi me PDK-në.
“Në rënie e sipër, PDK-ja po mundohet të kapet në cilëndo parti që ta shpëtojë vetveten nga teposhtëza që ka marrë tashmë. Lëvizja Vetëvendosje as që pranon ta diskutojë çfarëdo lloj bashkëpunimi me PDK-në”, ka thënë Selimi për Express.
Ai tutje ka shtuar se Vetëvendosja do të jetë subjekti politik që PDK-në do ta lërë në opozitë.
“Sikur të mos ekzistonte Lëvizja jonë, PDK-ja vërtetë do të vazhdonte të luante me fatin e Kosovës duke qenë gjithmonë ne pushtet. Por ne atyre, ua kemi përcaktuar të ardhmen në opozitë”, ka thënë Selimi.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet tha që deklaratat e tilla të Remit tregon panikun e PDK-së.
“Deklaratat e tilla sikur ajo e Remit manifeston panikun e PDK-së në pikiatë”, është shprehur ai.
Gazeta Express ka kontaktuar Ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqin për ta pyetur rreth deklaratës së anëtarit të partisë së tij për një koalicion pas zgjedhor me Vetëvendosjen por që i njëjti është përgjigjur shkurt duke thënë se “nuk e kam parë atë deklaratë”.