Rezolutë për çeljen e negociatave, thirrje vendeve të BE-së për vendimin

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 13:15 | Nga

Grupi parlamentar socialist ka depozituar në Ditën e Evropës një projekt rezolutë për çeljen e negociatave.

Ka qenë vetë kreu i grupit, Taulant Balla që ka njoftuar në Facebook.

“Sot në Ditën e Evropës, në emër të Grupit Parlamentar Socialist kemi depozituar Projekt-Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë mbi Rekomandimin e Komisionit Evropian për Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Duke shpresuar se edhe opozita do ta mbështesë Shqipërinë në këtë moment historik të rrugës sonë europeiste, duke hequr dorë nga balta kundër imazhit të Shqipërisë, ftesa jonë është që kjo rezolutë të miratohet sa më parë nga të gjithë anëtarët e Kuvendit”, ka shkruar ai.

Nëpërmjet kësaj rezolute i bëhet thirrje njëzëri “vendeve anëtare të BE-së që të marrin vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, si fillimi i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit, me vetëdije se kjo do të jetë një rrugë e vështirë dhe e gjatë, por se hapja e negociatave do t’i japë shpresë dhe orientim këtij rrugëtimi”.

Por nga ana tjetër, Kuvendi përmes kësaj rezolute i kërkon qeverisë të thellojë dhe përshpejtojë ritmin e reformave të ndërmarra, veçanërisht të reformave që lidhen me sundimin e ligjit dhe që rekomandimet e Paketës së Zgjerimit 2018 të shërbejnë si udhëzues në përpjekjet për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rezoluta përmban 12 pika, shkruan Top Channel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme