Rezultati i zgjedhjeve duhet të lexohet drejt sidomos nga kryeministri Kurti

Prishtinë | 15 Nën 2021 | 10:22 | Nga Ilir Ibrahimi

Zgjedhjet lokale dhe ato qëndrore mbahen për të marrë mandatin për pushtete të ndryshme prandaj dallojnë. Krahasimi blanko nuk qëndron.

Përderisa ato tregojnë një lloj sentimenti të momentit, jo domosdoshmërisht mund të merren për bazë përcaktuese të ndonjë rezultati të mundshëm.

Dje partitë opozitare shënuan sukses në shumicën e komunave. Por pozita vazhdon të ketë votat e njejta në Kuvendin e Kosovës me mandatin e qartë për të qeverisur.

E ndërsa nuk ka lidhshmëri direkte, megjithatë rezultati i çdo palë zgjedhjesh duhet të lexohet, analizohet dhe reflektohet nga politikanët.

Më së shumti ky rezultat duhet të lexohet drejt nga Kryeministri Kurti.

Nëse bëhet një analogji me futboll, Kurti është në minutën e 60 të lojës, duke humbur 2:0.

Në kësi raste trajneri zakonisht ndërron taktikë dhe këtë e shoqëron edhe me zëvëndësim të lojtarëve.

Pra Kurti duhet ta lexoj drejt rezultatin dhe të bëj ndryshime rrënjësore si në qeverisje ashtu edhe në ekip.

Nuk mund të thirret më në rezultatin e 14 shkurtit si një lloj mandati të pa kontestueshëm sepse dje u dha një mesazh.

Si çdo qeveri, edhe kjo e Kurtit do të matet vetëm me kualitetin e qeverisjes dhe jo me ndonjë të drejt të “shenjtë”, siç mund të shihet nga disa.

Të ngjashme